Botë

Zbulohet banda që dyshohet se ka hakuar telefonat e të famshmëve amerikanë

Policia e EUROPOL-it ka arrestuar dhjetë persona në Britani të Madhe, Belgjikë dhe Maltë të dyshuar se kanë hakuar telefonat që u takonin të famshmëve amerikanë, duke përfshirë njerëz me ndikim në internet, yje të sportit dhe muzikës.

Të gjithë këtyre dyshohet se u janë vjedhur informata personale dhe miliona kriptovaluta, kanë bërë të ditur autoritetet.

EUROPOL-i ka njoftuar se besohet se banda ka vjedhur kriptovaluta në vlerë prej më shumë se 100 milionë dollarë, duke përdorur të ashtuquajturat sulmet e shkëmbimit, shkruan AP.

Këto sulme përfshijnë deaktivizimin e SIM kartës nga telefoni i viktimave duke mashtruar kompaninë e telefonit ose duke përdorur një mënyrë korruptimi e cila mundëson që numri i telefonit të transferohet në një kartë tjetër e cila është nën kontrollin e bandës.

Arrestimet kanë ardhur si pasojë e disa hulumtimeve që janë kryer nga policia në Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjikë dhe Maltë, ka bërë të ditur EUROPOL-i.

Nuk është bërë i ditur nacionaliteti i të arrestuarve mirëpo është bërë i ditur se tetë persona janë arrestuar në Angli dhe Skoci, ndërkaq dy të tjerë në Belgjikë dhe Maltë.

EUROPOL-i nuk e ka bërë të ditur as identitetin e të famshmëve që janë viktima të këtij sulmi.