Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar diplomatët suedezë dhe polakë në Shën Petersburg dhe një diplomat gjerman në Moskë për pjesëmarrje në ato që i quajti tubime “të paligjshme” më 23 janar. Me dhjetëra-mijëra persona kudo përreth Rusisë kanë vërshuar rrugën atë ditë, për të protestuar kundër burgosjes së opozitarit Alexei Navalny
Moskë, 5 shkurt (AP) – Rusia ka njoftuar të premten t’i ketë dëbuar diplomatët nga Gjermania, Suedia dhe Polonia, nën akuzën se kanë marrë pjesë në një tubim protestues në mbështetje të liderit opozitar Alexei Navalny, në kohën kur janë thelluar tensionet ndërkombëtare lidhur me arrestimin e kritikut më të zëshëm të Kremlinit.
Dëbimi ka ndodhur pak kohë pasi që shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ia ka tërhequr vërejtjen ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se trajtimi i Navalnyt paraqet “pikën më të ulët” në marrëdhëniet midis Brukselit dhe Moskës.
Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar diplomatët suedezë dhe polakë në Shën Petersburg dhe një diplomat gjerman në Moskë për pjesëmarrje në ato që i quajti tubime “të paligjshme” më 23 janar. Me dhjetëra-mijëra persona kudo përreth Rusisë kanë vërshuar rrugën atë ditë, për të protestuar kundër burgosjes së Navalnyt.
Diplomatët evropianë janë shpallur “persona non grata” dhe u është kërkuar që të largohen nga Rusia “sa më parë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Këtë veprim, zyrtarët evropianë e kundërshtuan fuqishëm.
Gjermania ka bërë të ditur se diplomati i saj i ka përmbushur obligimet e tij, duke i përcjellë zhvillimet. Vendi, ndërkaq, ka paralajmëruar Moskën se po qe se nuk e rishqyrton vendimin, atëherë do ta thërrasë për bisedë ambasadorin e Rusisë.
“Këtë dëbim e konsiderojmë si skajshmërisht të pajustifikueshëm dhe mendojmë se është veç një aspekt tjetër i gjërave që mund të shihen në Rusi, e që janë krejtësisht larg sundimit të ligjit”, ka thënë të premten kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një videokonference me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Macroni ka shprehur solidarizimin e vendit me Gjermaninë, Poloninë dhe Suedinë, ndërsa ka dënuar “me termet më të serta të mundshme” dëbimet dhe ngjarjet lidhur me Navalnyn “nga fillimi krejt deri në fund”.
“Suedia e konsideron këtë si krejtësisht të pajustifikueshme dhe këtë veçse ia kemi transmetuar palës ruse”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme suedeze, Mats Samuelsson. “Stokholmi zyrtar i hedh poshtë vendosmërisht pretendimet ruse se diplomati ka marrë pjesë në një demonstratë në Rusi dhe e rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë masa adekuate në kundërpërgjigje”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Polonia ka paralajmëruar se veprimi i Moskës do t’i përkeqësojë marrëdhëniet.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka thënë se veprimi përbën një dëshmi shtesë se Moska “po ia kthen shpinën të drejtës ndërkombëtare”. Ai, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se dëbimi i diplomatëve “vetëm pse po e kryenin punën e tyre është një përpjekje e vrazhdë e shpërqendrimit prej shënjestrimit të liderëve opozitarë, protestuesve dhe gazetarëve në Rusi”.
Duke folur gjatë bisedimeve me Lavrovin, Borrell ka thënë se “marrëdhëniet tona ndodhen në gjendje të tkurrjes së thellë dhe rasti i Navalnyt është tani pika më e ulët e marrëdhënieve tona”.
Një gjykatë në Moskë ka dënuar të martën Navalnyn me tre vjet e gjysmë burgim për shkeljen – gjatë qëndrimit në Gjermani për trajtim nga helmimi me agjentin nervor Novichok – e lirimit me kusht dhe e ka urdhëruar ta vuajë burgimin prej dy vjetësh e gjashtë muajsh. Dënimi ka nxitur reagime ndërkombëtare.
Ai është nxjerrë përsëri para drejtësisë të premten, kësaj radhe për akuzën se ka ofenduar një veteran të Luftës së Dytë Botërore, që ishte shfaqur në videon pro-Kremlin. Po qe se shpallet fajtor për këtë rast, Navalny do të përballet me gjobë apo me shërbim për komunitetin. Vendimi ende nuk është marrë, pasi që procesi është shtyrë deri më 12 shkurt.