Nga shtëpia në skenën kombëtare, gratë kanë luajtur role vendimtare në sistemet shëndetësore. Qeveritë duhet të krijojnë strategji të veçanta para se bota të nokautohet nga një tjetër krizë shëndetësore
Pandemia e koronavirusit ka vënë në pah kufizimet e tanishme të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës karshi shëndetit global. Ekspertët për një kohë të gjatë kanë tërhequr vërejtjen rreth një virusi shumë përhapës. Ani pse shpenzimet shëndetësore janë ngritur me një mesatare prej 3.9 për qind nga viti 2000 deri më 2017, shtetet rreth botës nuk ishin të përgatitura për pandeminë e koronavirusit, izolimet mbarëkombëtare dhe krizën ekonomike që i përcolli.
Në një analizë, revista politike “Foreign Policy” ka shkruar se gratë u ballafaquan me sfida të veçanta gjatë krizave shëndetësore të botës dhe COVID-19 e ka shpërfaqur edhe një herë pabarazinë gjinore që veçse ekzistonte, përfshirë dhunën në familje dhe qasjen në kujdesin shëndetësor.
“Pjesëmarrja ekonomike gjithashtu ka pësuar. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe ‘U.N. Women’, 41 për qind e grave punojnë në sektorët më të goditur nga pandemia: shëndetësia, patundshmëria, bizneset, prodhimi dhe shitja”, shkruan revista “Foreign Policy”.
Në një studim të McKinseyt thuhej se pandemia ka prekur të gjitha gratë, sidomos ato me ngjyrë; një në katër gra janë ulur më poshtë në karrierë ose e kanë braktisur punën krejtësisht.
Gratë, fuqi e pashfrytëzuar
Ligjvënësit shpesh i shohin gratë si të cenueshme, shkruan revista amerikane. Rrallë i shohin si agjente të ndryshimeve rrënjësore të përgatitjes nga krizave. Pak gra kishin role vendimmarrëse gjatë pandemisë, mirëpo punuan më mirë sesa burrat.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, u rizgjodh në post gjatë zgjedhjeve të tetorit. Fitoren e siguroi me betejën e suksesshme kundër COVID-19. Ama gratë ende janë të nënpërfaqësuara në pozita të fuqishme në qeveri dhe në krejt sistemin global të shëndetësisë.

Përgjigja ndaj pandemisë së tanishme dhe përgatitja për të ardhshmen do të kërkojë strategji të reja për përforcimin e sistemeve shëndetësore, përfshirë investimet në gratë. Sipas revistës, është thelbësore që gratë të jenë mirë të përfaqësuara në sistemin shëndetësor dhe lidershipin politik.
“Për të fituar betejën ndaj koronavirusit dhe të çfarëdo sëmundjeje të ardhshme, komuniteti global i shëndetësisë dhe qeveritë kombëtare duhet të përfitojnë nga talenti dhe përvoja e grave – jo vetëm nga gjysma prej tyre”, shkruan “Foreign Policy”.
Shpesh, zyrtarët e Qeverisë dhe të sistemeve shëndetësore e mbishikojnë rolin kritik të grave si punonjëse shëndetësore dhe prijëset e para në komunitetet e tyre. Gratë janë shumicë si punëtore shëndetësore nëpër botë: 70 për qind e komunitetit shëndetësor dhe punonjësve socialë janë gra.
“Foreign Policy” shkruan, po ashtu, se si me punën me pagesë ashtu edhe pa të, gratë kontribuojnë në mbi 3 miliardë dollarë të hyra në shëndetësinë globale. Këto kontribute janë të jashtëzakonshme, jo vetëm se punëtoret shëndetësore janë të suksesshme në ndërrimin e praktikave të brendshme, planifikimin familjar, vaksinimin, përmirësimin e sanitarisë dhe adresimi i përhapjes së sëmundjes. Gratë përbëjnë shumicën e punëtorëve shëndetësorë globalë.
“Konsideroni, për shembull, efektet e Ushtrisë së Zhvillimit të Grave në Etiopi dhe Programin e Vullnetarëve të Shëndetit të Komunitetit Femëror në Nepal. Dy iniciativat krijuan një rrjet bazë të grave vullnetare për të tkurrur boshllëqet midis sistemit shëndetësor dhe komunitetit, përhapjen e informacioneve dhe përmirësimin e referimeve për kujdesin shëndetësor”, shkruan revista amerikane.
Midis viteve 1991 dhe 2001, kishte një ulje prej 80 për qind të shkallës së vdekshmërisë pas prezantimit të programit FCHV në Nepal. Gratë që udhëheqin me programin WDA në Etiopi në formë të ngjashme arritën sukses të jashtëzakonshëm, duke ulur shkallën e vdekshmërisë të fëmijëve nën moshën pesë vjeç në 69 për qind deri në vitin 2013, dy vjet përpara afatit të përcaktuar nga Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Ndihma në shëndetësi
Përkundër përfaqësimit të tepërt të tyre në vijën e parë të ekipeve të reagimit shëndetësor, gratë mbeten të nënvlerësuara nga qeveritë që mbështeten te kontributet e tyre për të siguruar funksionimin e sistemit shëndetësor. Nga tre trilionë dollarë që gratë kontribuojnë në ekonominë globale çdo vit, rreth 50 për qind e këtyre parave është në formën e punës së papaguar. Zyrtarët qeveritarë, shkruan revista amerikane, në vend të duartrokitjes ndaj tyre, duhet të sigurojnë kushte dhe të drejta të punës për gratë, përfshirë kompensimin fer.
“Gratë gjithashtu luajnë rol thelbësor në shëndetin e familjeve të tyre që janë epiqendra e identifikimit dhe çrrënjosjes së sëmundjeve. Gjatë një pandemie, shenjat e para të sëmundjes në të shumtën e rasteve së pari raportohen tek udhëheqësja e shtëpisë - nëna, tezja ose gjyshja. Të tria luajnë rol vendimmarrës në lidhje me trajtimin, izolimin dhe raportimin. Strategjitë e përgatitjes ndaj pandemisë, duhet të financojnë, zhvillojnë dhe shpërndajnë mjetet digjitale për t’i përvetësuar këto të dhëna”, shkruan “Foreign Policy”.
“Sistemet që përfitojnë nga informacioni në nivelin familjar, në vend që të presin për raportimin e individëve rreth sëmundjeve të tyre ose të paraqiten për trajtim, mund t’i ndihmojnë sistemet globale të shëndetit që kontrollojnë transmetimin”, shton revista amerikane.
Fuqizimi i grave
Trajnimet dhe mjetet digjitale, të siguruara nga sistemet kombëtare të shëndetësisë dhe të përshtatura për rolet e grave si punëtore të frontit dhe si udhëheqëse e shtëpive, mund të shtyjnë te përdorimi më i mirë i pajisjeve mjekësore – duke parandaluar mbingarkesën me kushte që mund të trajtohen në formë virtuale. Gjithashtu, do të përmirësonte raportimin në kohë tek autoritetet e kujdesit shëndetësor, i cili nga ana tjetër do t’i avanconte zbulimin, kontrollin dhe parandalimin e hershëm të sëmundjes.
Sistemet e mundësuara nga inteligjenca artificiale që janë të ndjeshme ndaj gjinisë, mund të përmirësojnë sistemet shëndetësore, shkruan revista amerikane. Për shembull, këto sisteme mund të ndërtohen me këshillat mjekësore në përgjigjet që shprehin qartë rolin e grave si punëtore shëndetësore në familjet e tyre. Nga këto reforma do të përfitonin gratë dhe familjet e tyre. Gratë që janë në gjendje të ofrojnë kujdes për anëtarët e familjes duke u bazuar në prova më të mira shëndetësore, do të ngritin cilësinë e kujdesit dhe rezultateve shëndetësore, do të ketë edhe kosto më të ulët – dhe u sigurojnë grave aftësi më të mira të tregut.
“Për më tepër, gratë përfaqësojnë një grup më të madh udhëheqës dhe të pashfrytëzuar nëpër gjithë botën. Përveç keqpërfaqësimit në udhëheqjen politike, pabarazia gjinore është problem i vazhdueshëm nëpër të gjitha organizatat globale të shëndetësisë; në ministri, delegacione dhe institucione donatore”, shkruan “Foreign Policy”.
Gratë e drejtpërdrejta
Sipas revistës së njohur, studimet tregojnë se larmia gjinore ndërlidhet me qeverisje të mirë, ulje të korrupsionit dhe ngritje të mbështetjes për reformat në shëndetin publik. Pjesëmarrja e grave në qeverisje, gjithashtu, është e lidhur me rritjen e gjasave për të arritur gjuhë të përbashkët në të gjitha ndasitë politike – një avantazh ky brenda një epoke në të cilën edhe bartja e një maske fytyre bëhet shumë e diskutueshme.
“Gjatë valës së parë të pandemisë, shtetet e prira nga gratë patën mesatare më të ulët të vdekjeve që ishin gjashtë herë më të ulëta se shtetet e prira nga burrat”, shkruan “Foreign Policy”.
Revista vlerëson se shtetet e prira nga gratë më lehtë mbyllën vendin dhe patën mesatare më të lartë të testimeve. Në këto shtete numri i rasteve ishte padyshim më i ulët, sesa në shtetet e prira nga burrat.
Krejt në fund, lideret më me lehtësi mund t’i adresojnë problemet në lidhje me barazinë gjinore – një perspektivë kjo që është vendimtare në këndellje, duke pasur parasysh efektin e pandemisë te gratë. Por edhe kjo është shumë e rrallë.
Në një studim të fundit, “Care” ka gjetur se shumica e 30 shteteve që morën pjesë në të, nuk kanë pasur përgjigje të bazuar në gjini ndaj COVID-19.
“Dështimi i qeverisë që të arrijë veprime në bazë të barazisë gjinore i lë të paadresuara dhunën në bazë të gjinisë dhe mungesën e qasjes në shërbimet e shëndetësisë seksuale dhe riprodhuese”, shkruan “Foreign Policy”.
COVID-19 nuk do të jetë pandemia e fundit. Kur bota po kërkon këndelljen nga kriza e tanishme dhe po përgatitet për tjetrën, komuniteti shëndetësor duhet të përfitojë nga talenti dhe strategjia e grave – prej nivelit shtëpiak e deri te ai shtetëror. Duke investuar në pjesëmarrjen e plotë të grave në lidership dhe në sisteme shëndetësore, premtohet një e ardhme dhe e sigurt për të gjithë njerëzimin.