Gati katër në dhjetë persona në Francë, më shumë se 25 për qind në Amerikë dhe 23 për qind në Gjermani kanë thënë se definitivisht ose ndoshta s’do të pranojnë të marrin vaksinën kundër koronavirusit, sipas një studimi që shfaq sfidat me të cilat po përballen qeveritë.
Hezitimi më i vogël ishte në Itali (12 për qind), Britani të Madhe (14%) dhe Holandë (17%), sipas studimit të kryer në shtatë vende. Analiza u krye nga “Kantar Public”.
Studimi po ashtu ka gjetur se më shumë se 60 për qind e britanikëve janë përgjigjur si të kënaqur ose mesatarisht të kënaqur për kampanjën e vaksinimit në Britani, ndërsa në Francë ku ishte vaksinimi më i ngadaltë, kënaqshmëria arriti në 31 për qind.
Në mesin e shtatë shteteve autoritetet shëndetësore shiheshin si burimi më i besueshëm i informacionit për vaksinim.
Popullariteti i qeverive në Evropë nuk u prek nga programet e ngadalta të vaksinimit.
Rrjetet sociale nuk u konsideruan nga qytetarët si burim i sigurt i informimit për vaksinim, me vetëm pesë për qind të gjermanëve dhe katër të italianëve dhe holandezëve që thanë se i besojnë postimeve në rrjetet sociale sa i përket vaksinimit.
Studimi tregoi po ashtu se burrat janë më të hapur për të pranuar vaksinimin, me 74 për qind e tyre që thoshin se do të pranonin vaksinimin, ndërsa te gratë përqindja ishte në 69 për qind.
Hezitimi për vaksinim ishte më i përhapur te grupmoshat e reja. Më shumë se gjysma e francezëve mes moshave 25 dhe 34-vjeçare dhe një e treta e holandezëve në këtë grupmoshë kanë thënë se nuk do të pranonin vaksinimin.
Në të gjitha vendet, shqetësimet për shëndetin citoheshin si faktori kryesor për hezitimin për vaksinim.