Botë

Erdogani i quan terroristë studentët që po protestojnë tash e disa javë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka quajtur terroristë studentët që po protestojnë tash e disa javë për zhvillimet e fundit në shtetin euro-aziatik.

Studentët dhe anëtarët e universitetit Bogazici kanë kaluar javë të tëra në protesta për emërimin e Melih Bulu në krye të universitetit, një akademik i cili dikur kandidoi për deputet me logon e partisë së Erdoganit.

Studentët kanë bërë thirrje që Bulu të japë dorëheqjen si rektor dhe që universiteti të lejohet të zgjedhë pasardhësin e tij, duke thënë se emërimi ishte një ofendim i lirive akademike.

Shumë studentë janë arrestuar mes protestave, madje disave u janë bastisur shtëpitë.

"Unë nuk i pranoj këta të rinj, të cilët janë anëtarë të grupeve terroriste, të ndajnë vlerat kombëtare dhe morale të vendit tonë", tha Erdogani në një video-fjalim.

"A jeni studentë ... apo jeni terroristë që përpiqen të bastisin zyrën e rektorit dhe ta pushtojnë atë?", shtoi Erdogani.