Presidenti amerikan, Joe Biden, është kërcënuar të hënën me rivendosje të sanksioneve ndaj udhëheqësve ushtarakë të Birmanisë dhe ka kërkuar përgjigje të vendosur ndërkombëtare për t’i nxitur ata që ta dorëzojnë pushtetin e kapur me anë të puçit
Bangkok, 1 shkurt (AP) – Burri i instaluar nga udhëheqësit ushtarakë si president i Birmanisë, pas puçit ushtarak të së hënës, njihet gjetkë për rolin e tij në shtypjen e protestave pro demokracisë të 2007-s dhe për lidhjet e tij me liderët ende tejet të pushtetshëm të ushtrisë.
Myint Swe ishte nënpresident i caktuar nga ushtria, ku u emërua të hënën që ta marrë drejtimin e vendit, pasi ushtria e arrestoi lideren civile, Aung San Suu Kyi, dhe liderët e tjerë të partisë së saj.
Menjëherë pasi u emërua president, Myint Swe ia dorëzoi pushtetin komandantit kryesor të ushtrisë, gjeneralit Min Aung Hlaing.
Sipas Kushtetutës së 2008-s të vendit, në rastet e emergjencës kombëtare presidenti mund t’ia dorëzojë pushtetin kryekomandantit ushtarak. Kjo është njëra prej mënyrave si ushtria e siguroi mbajtjen e kontrollit përfundimtar mbi vendin.
Min Aung Hliang (64) ishte komandant i forcave të armatosura që nga viti 2011 dhe pritet që së shpejti të pensionohet. Kjo do t’ia hapte rrugën atij që të marrë rol civil udhëheqësi, po qe se junta mban zgjedhje, siç ka premtuar, deri në fund të vitit. Partia e Unionit të Solidaritetit dhe Zhvillimit, e përkrahur nga ushtria, ka pësuar turpërim në zgjedhjet e nëntorit të shkuar, duke u mposhtur nga Liga Kombëtare për Demokraci, e udhëhequr nga Suu Kyi, laureate e çmimit “Nobel” për Paqe. Në justifikimin e puçit, ushtria ka bërë të ditur se Qeveria ka dështuar që t’i adresojë pretendimet për mashtrime në zgjedhje.
Këtë veprim të ushtrisë, politikanë dhe liderë botërorë e dënuan ashpër.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është kërcënuar të hënën me rivendosje të sanksioneve ndaj udhëheqësve ushtarakë të Birmanisë dhe ka kërkuar përgjigje të vendosur ndërkombëtare për t’i nxitur ata që ta dorëzojnë pushtetin e kapur me anë të puçit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se administrata Biden e ka dënuar grusht shtetin ndaj Qeverisë civile dhe arrestimin e lideres dhe zyrtarëve të tjerë, duke e quajtur rastin “sulm të drejtpërdrejtë ndaj transicionit të vendit në demokraci dhe sundim të ligjit”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka dënuar puçin dhe burgosjen e paligjshme të civilëve dhe lideres, Aung San Suu Kyi, e cila raportohet të jetë arrestuar bashkë me politikanë të tjerë të lartë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur “shqetësim të thellë” për rastin dhe ka nxitur ushtrinë që menjëherë të “zmbrapset” nga veprimet.
Kriza në Birmani përbën sprovën e parë madhore për zotimin e Bidenit për të bashkëpunuar më ngushtë me aleatët në sfidat ndërkombëtare. Kjo qasje është në kundërshtim të plotë me qëndrimin e ish-presidentit, Donald Trump, që ka zbatuar politika që e vënë Amerikën në rend të parë. Bideni ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të flasë me një zë për të ushtruar presion mbi ushtrinë birmane, ashtu që ta dorëzojë menjëherë pushtetin dhe t’i lirojë aktivistët dhe zyrtarët e arrestuar.
Administrata amerikane e kishte vënë Min Aung Hlaingun në listën e zezë të vendit më 2019, bazuar në angazhimin e tij në “abuzime serioze të të drejtave të njeriut” në rastin e drejtimit të trupave ushtarake në operacionet e sigurisë në rajonin veriperëndimor të Birmanisë, Rakhine.
Hetuesit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut kanë bërë të ditur se ushtria kishte kryer asokohe operacione të spastrimit etnik, të cilat rezultuan me ikjen e më shumë se 700.000 pjesëtarëve të pakicës rohingya, djegien e qytetarëve në shtëpitë e tyre dhe në krime të tjera të rënda.