Botë

Dy bomba ishin vendosur te selitë e partive, një natë para dhunës në Capitol

FBI-ja ka bërë të ditur se hetimet e ndërmarra kanë zbardhur informatën e re, përfshirë faktin se mjetet e vendosura më 5 janar nuk ishin zbuluar nga organet e rendit deri ditën pasuese, kur dhe ndodhën trazirat. Ende nuk është konstatuar nëse bombat nuk kishin lidhje me trazirat apo nëse ishin pjesë e planifikimit të dhunës

Washington, 29 janar (AP) – Dy bomba artizanale të lëna në afërsi të zyrave të Komitetit Kombëtar Republikan dhe atij Demokrat, të cilat ishin zbuluar vetëm pak kohë para se me mijëra mbështetës të ish-presidentit Donald Trump të bastisnin Capitolin në Washington, ishin vendosur aty një natë para ngjarjeve, kanë njoftuar të premten zyrtarët federalë.

FBI-ja ka bërë të ditur se hetimet e ndërmarra kanë zbardhur informatën e re, përfshirë faktin se mjetet shpërthyese ishin vendosur para dy ndërtesave në orët e mbrëmjes të 5 janarit. Mjetet nuk ishin zbuluar nga organet e zbatimit të ligjit deri ditën pasuese, kur dhe ndodhën trazirat.

Ende nuk është konstatuar nëse bombat nuk kishin lidhje me trazirat apo nëse ishin pjesë e planifikimit të dhunës. Që të dy ndërtesat ku ishin vendosur bombat ndodhen vetëm pak blloqe larg Capitolit.

Incidenti po cilësohet si veçanërisht shqetësues nga organet e rendit, meqë zyrtarët kanë ashpërsuar masat e sigurisë në prag të impiçmentit të Trumpit në Senat. Për javë të tëra, hetuesit kanë shprehur shqetësim lidhur me sulmet potenciale mbi caqet e ashtuquajtura të buta në kryeqytetin amerikan.

Policia e Capitolit dhe agjentë të FBI-së dhe të Byrosë për Alkool, Duhan, Armë Zjarri dhe Eksplozivë janë thirrur në zyrën e Komitetit Republikan në orët e mesditës të 6 janarit. Rreth 30 minuta më vonë, derisa agjentët dhe teknikët e bombave ende po e hetonin rastin në kampin republikan, u adresua një tjetër thirrje për gjetjen e një eksplozivi të ngjashëm, të dytë, kësaj radhe në selinë e afërt të Komitetit demokrat.

Që të dy mjetet ishin shumë të ngjashme dhe të dyja kishin edhe gjatësi dhe tela të shumtë, që duket se ishin të lidhura me një sahat, kanë bërë të ditur dy zyrtarë të forcave të rendit, duke folur për agjencinë e lajmeve AP.

Hetuesit janë ende duke i ekzaminuar mjetet dhe përbërësit e tyre për të përcaktuar përbërjen specifike të lëndëve të vendosura brenda bombave në formë tubi. Zyrtarët kanë njoftuar se që të dyja përmbanin një pluhur të panjohur dhe copëza metali.

FBI-ja ka publikuar edhe fotografitë e mjeteve të premten, duke e përfshirë edhe një fotografi tjetër që e shpërfaq njërën prej mjeteve të vendosura nën një shkurre.

Steven D’Antuono, zëvendësdrejtor në krye të Zyrës së FBI-së në Washington, ka bërë të ditur në fillim të javës se zbulimi i lokacionit të personi që ka vendosur bombat është prioriteti i agjentëve federalë, ndonëse zyrtarët veçse kanë publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë të të dyshuarit potencial.

Të premten, FBI-ja ka bërë të ditur se i dyshuari kishte të veshur një xhup të përhirtë, kishte të vendosur maskë në fytyrë dhe bartte atlete “Nike Air Max Speed Turf” me ngjyrë të verdhë, të zezë dhe gri, si dhe bartte një çantë shpine.