Si në dramat e ngadalta Kabuki në Japoni, ndryshimet në marrëdhënie mund të rrëshqasin. Kina dhe Japonia gradualisht mund të kalojnë në “modus vivendi” [mënyrë jetese]. Nuk do të bëhen vende mike, por Japonia e qetësisë do të sinjalizojë se i kupton interesat e Kinës. Do të ketë pengesa gjatë rrugës, por Kina dhe Japonia do të përshtaten gradualisht
Pekin, 28 janar - Australia, India, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shqetësime të arsyeshme për Kinën. Është e parehatshme jeta me një Kinë më të fuqishme. Është e arsyeshme për këto shtete që të forcojnë bashkëpunimin në Dialogun Katërkëndësh të Sigurisë, të njohur si Katërshja. Fatkeqësisht, për dy arsye të thjeshta Katërshja nuk do të mund të ndalë drejtimin e historisë së Azisë: Së pari, katër shtetet kanë interesa të ndryshme gjeopolitike dhe dobësi. Së dyti, arsye më e rëndë, janë në një lojë të gabuar. Kjo lojë e madhe strategjike në Azi nuk është ushtria, por ekonomia.
“Australia është më e ndjeshmja. Ekonomia e saj varet fort prej Kinës. Australianët janë krenarë me ngritjen e madhe ekonomike në tri dekadat e fundit. Kjo ndodhi sepse Australia u shndërrua në provincë ekonomike të Kinës. Në periudhën 2018-2019, 33 për qind e eksportit të saj shkoi në Kinë, ndërkaq vetëm pesë për qind është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruan Foreign Policy në një analizë.
Flakareshi ndaj Kinës
Për këtë arsye, sipas revistës politike, nuk ishte veprim i mençur që Australia të përdorte publikisht flakareshin ndaj Kinës, kur bëri thirrje që të hetohet për COVID-19. Më mençuri dhe maturi për shtetin australian do të ishte sikur këto kritika t’i bënte privatisht. Tani Australia është në zgrip. Krejt Azia është duke shikuar se kush do ta shkelë i pari syrin në përplasjen Australi-Kinë. Në shumë mënyra rezultati është i paracaktuar. Nëse Pekini lëviz syrin, shtetet e tjera mund të rreshtohen pas Australisë për ta poshtëruar Kinën. Prandaj Australia e ka zënë ngushtë Kinën.
Ama, Kina ka krejt kohën e botës.
Ligjëruesi australian Hugh White thotë se Kina është fuqia.
“Problemi për Kanberën është Kina që mban në dorë të gjitha kartat. Fuqia në marrëdhëniet ndërkombëtare lidhet me shtetin që mund të caktojë çmim të lartë për tjetrin dhe ta ulë për veten. Këtë mund t’ia bëjë Kina Australisë, por [kryeministri i Australisë], Scott Morrison, dhe kolegët e tij nuk e marrin vesh këtë”, thotë White, duke folur për “Foreign Policy”.
Me qartësi të madhe në nëntorin e vitit 2019, ish-kryeministri Paul Keatin ua tërhoqi vërejtjen australianëve se Katërshja nuk do të kryente punë.
“Për më shumë, i ashtuquajturi ‘Katërkëndësh’ nuk po realizohet”, ka thënë ai në Forumin e Strategjisë Australiane. “India është në mëdyshje për agjendën amerikane ndaj Kinës dhe do të shmangë çfarëdo aktiviteti kundër saj. Një përafrim i Japonisë me Kinën është i qartë... prandaj Japonia nuk ka nënshkruar asnjë program që është kundër Kinës”.
Ani pse India ka ashpërsuar pozitën ndaj Kinës që prej deklaratave të Keating në vitin 2019, ajo nuk do të bëhet aleate e qartë e SHBA-së.
Përplasjet aziatike
“Japonia është e dobët, por në një tjetër rrugë. Australia është me fat që ka fqinjë në Asociacionin e Shteteve të Azisë Juglindore. Kina ka vetëm fqinj të këqij: Kinën, Rusinë dhe Korenë e Jugut. Ka marrëdhënie të tensionuara me të tria. Mund të menaxhojë lidhjet me Rusinë dhe Korenë e Jugut, sepse të dyja kanë ekonomi të vogla. Mirëpo Japonia e di se përsëri duhet t’i përshtatet një Kine më të fuqishme. Ky nuk është fenomen i ri.
Me përjashtëm të pjesës së parë të shekullit 20, Japonia gati gjithmonë ka jetuar në paqe me fqinjën e fuqishme, Kinën”, shkruan “Foreign Policy”.
Studiuesi i çështjeve të Azisë Lindore, Ezra Vogel, në vitin 2019 kishte shkruar se asnjë prej shteteve të tjera nuk ka kontakt më jetëgjatë sesa Kina dhe Japonia.
“Asnjë shtet tjetër krahasuar me Kinën dhe Japoninë nuk kanë pasur kontakt më të gjatë: 1 mijë e 500 vjet”, shkruan Vogel. Siç shkruan në librin e tij, Kina dhe Japonia kanë mbajtur marrëdhënie të thella kulturore gjatë krejt të kaluarës së tyre, por Kina, me civilizimin e madh dhe burimet, ka më shumë fuqi.
Nëse për 1 mijë e 500 vjet Japonia ka jetuar në paqe me Kinën, këtë linjë mund ta zgjasë përsëri edhe për 1 mijë vjetët e ardhshëm”, shkruan ai.
Sidoqoftë, si në dramat e ngadalta Kabuki në Japoni, ndryshimet në marrëdhënie mund të rrëshqasin. Të dyja shtetet gradualisht mund të kalojnë në “modus vivendi” [mënyrë jetese]. Nuk do të bëhen vende mike, por Japonia me qetësi do të sinjalizojë se i kupton interesat e Kinës. Do të ketë pengesa gjatë rrugës, por Kina dhe Japonia do të përshtaten gradualisht.
Përtej Himalajeve
“Foreign Policy” shkruan se India dhe Kina kanë probleme të kundërta. Si dy civilizime të lashta, kanë jetuar përkrah njëra-tjetrës për mileniume. Sidoqoftë, kanë pasur pak kontakt direkt, për shkak të Himalajeve në mes. Fatkeqësisht, teknologjia moderne pa pikë problemi ngjit Himalajet. Kjo ka ngritur përplasjet fytafyt mes ushtarëve kinezë dhe indianë.
“Përplasjet e tilla çojnë tek incidentet. Një e tillë ndodhi në qershorin e vitit 2020. Që prej kësaj periudhe, një cunami kundër Kinës ka përfshirë Kinën. Në vitet e ardhshme, marrëdhëniet do ta marrin teposhtën. Orteku veçse ka nisur”, shkruan revista. “Kina do të jetë e durueshme sepse koha po punon në anën e saj. Në vitin 1980, ekonomitë e Kinës dhe Indisë ishin të barabarta. Në 2020, ekonomia e kinës është rritur pesë herë më shumë. Marrëdhënia afatgjate mes dy fuqive gjithmonë varet nga madhësia relative e dy ekonomive”.
Bashkimi Sovjetik humbi Luftën e Ftohtë sepse ekonomia e SHBA-së ishte shumë e madhe. Ngjashëm, si Shtetet e Bashkuara që ia prezantuan Kinës një dhuratë të madhe gjeopolitike kur u tërhoq nga marrëveshja tregtare e Partneritetit Trans-Paqësor [TPP] të vitit 2017, edhe India ia bëri Kinës një favor gjeopolitik, kur nuk u bashkua në Partneritetin e Ekonomisë Gjithëpërfshirëse të Rajonit.
Loja vendimtare
Ekonomia është fusha në të cilën luhet derbi. Me SHBA-në jashtë TPP-së dhe Indinë jashtë RCEP-it, një ekosistem i madh me Kinën në qendër po evoluon në rajon.
“Një statistikë për të mbështetur këto: Në vitin 2009, madhësia e tregut të mallrave në Kinë ishte 1.8 trilionë dollarë krahasuar me 4 trilionë për tregun e Shteteve të Bashkuara. Dhjetë vjet më vonë, numrat janë 6 trilionë dollarë për Kinën dhe 5.5 trilionë për Amerikën”, shkruan revista “Foreign Policy”.
Siç tregu i madh i konsumit në SHBA gjatë viteve ’70 dhe ’80 që mposhti Bashkimin Sovjetik, tregu i madh dhe në zhvillim i Kinës do të jetë vendimtar në lojën e madhe gjeopolitike.
Në analizën e “Foreign Policy” shkruan se për këtë shkak ushtrimet detare të Katërshes në Oqeanin Indian nuk do të largojnë nevojën e historisë aziatike. Me kalimin e kohës, interesat e ndryshme ekonomike dhe dobësitë historike të katër shteteve dita-ditës do ta bëjnë Katërshen edhe më pak të qëndrueshme.