Botë

Më shumë se 50 mijë të vdekur nga COVID-19 në Gjermani

Foto: AP

Më shumë se 50 mijë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në Gjermani, me numrin që ka shënuar rritje të dukshme javëve të fundit, edhe pse shifrat e rasteve të reja kanë nisur të bien.

Instituti “Robert Koch”, qendra e kontrollit të sëmundjes në Gjermani, ka njoftuar të premten se janë regjistruar edhe 859 vdekje në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e vdekjeve në 50 mijë e 642.

Gjermania kishte numër më të vogël të vdekjeve në fazën e parë të pandemisë, por kjo ndryshoi në dimër. Qindra vdekje, nganjëherë edhe mijëra, u raportuan për ditë në shtetin me 83 milionë banorë. Shifra prej 40 mijë vdekjeve u prek më 10 janar.

Mes shteteve më të mëdha Evropiane, Italia, Franca e Spanja edhe pse kanë më pak popullatë, kanë më shumë vdekje.

Gjermania, që është në izolim, ka nisur të regjistrojë më pak raste të reja nga piku në dhjetor. Të premten u regjistruan 17 mijë e 862 raste të reja – dukshëm rënie nga 22 mijë e 368 sa ishin një javë më herët. Deri tash janë regjistruar 2.1 milionë raste pozitive.