Hungaria është bërë shteti i parë në Bashkimin Evropian që ka dhënë aprovimin preeliminar për vaksinën ruse anti-COVID të njohur si Sputnik V, raporton BBC.
Sot, shefi i kabinitetit të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, ka konfirmuar se si vaksina ruse ashtu edhe ajo e Oxford-AstraZenecas kanë marrë dritën e gjelbër nga autoritetet shëndetësore.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, po udhëton në Moskë për bisedime të mëtutjeshme, ku pritet të diskutojë për marrëveshjen e transportit.
Rezultatet preeliminare të vaksinës Sputnik V kanë qenë premtuese, siç është thënë nga autoritetet ruse.
Zyrtarët shëndetësorë në Hungari po ashtu janë në Pekin për të biseduar me autoritetet kineze për aprovimin dhe dorëzimin e menjëhershëm të një milion dozave të vaksinës së Sinopharm, që është duke u përdorur tashmë në Serbi.
Sinopharm, ka njoftuar muajin e kaluar se në fazën e tretë testuese është dëshmuar se vaksina është 79 për qind efikase në parandalim të COVID-19, efikasitet më i ulët se i vaksinave të Pfizerit dhe Modernas.
Por, kryeministri i Hungarisë, Orban, ka thënë se mënyra e vetme për të përmbushur kërkesat për vaksinim, duke marrë parasysh procesin shumë të ngadalshëm të dorëzimit të vaksinave të Pfizer-BioNTech, është të blihen vaksinat ruse dhe kineze.
Së paku 140 mijë hungarezë janë vaksinuar tashmë. Por, tentimet e qeverisë hungareze për të popullarizuar vaksinat ruse e kineze po përballen me kritika.
Në kryeqendër Budapest, ka mendime të ndryshme nga qytetarët për vaksinimin në prëgjithësi. Ka veçanërisht hezitime ndaj vaksinave që nuk aprovohen nga BE-ja.
Orsolya Egri, një punonjëse në një shtëpi të kujdesit, thotë se ka dallim të madh mes një vaksine që aprovohet në Hungari dhe një që aprovohet nga BE-ja në përgjithësi.
“Nëse aprovohet vetëm nga autoritetet hungareze, atëherë nuk do të guxoja ta merrja. Nuk i besoj qeverisë hungareze apo sistemit tonë shëndetësor”, ka thënë Egri, e cila ka marrë tashmë vaksinën e Pfizerit, për shkak të natyrës së punës me të moshuar.
“Unë kam marrë tashmë vaksinën e Pfizerit dhe do t’ia rekomandoja të gjithëve”, thotë Alexandra Trahazy, një ndihmëse e dentistit. “I besoj më tepër pasi hungarezët kanë qenë të përfshirë në zhvillimin e saj.
Katalin Kariko, një biokimist që u largua nga Hungaria për në SHBA në vitin 1985, ka luajtur rol kyç në zhvillimin e vaksinës së Pfizer-BioNTech.