Botë

Trashëgimia e Trumpit: Një Amerikë më e përçarë e botë më në rrëmujë

Kur presidenti Donald Trump e mbajti fjalimin e tij inaugurues në 20 janarin e 2017-s, ai premtoi përfundimin e “kërdisë amerikane”, shtetit të zymtë dhe jofunksional që insistoi se vetëm ai do të mund ta riparonte.

Në përmbyllje të presidencës së tij, fiks katër vjet më vonë, Trumpi lë prapa supeve një Amerikë edhe më të polarizuar, ku me mijëra po vdesin përditë nga pandemia e COVID-19, ekonomia është thellësisht e dëmtuar dhe dhuna politike në ngritje.

Trumpi nuk i ka krijuar dallimet e hidhura që dolën se e definuan jetën amerikane. Megjithëkëtë, ai i përdori shumë prej tyre si mjet për ta ndërtuar bazën e tij në pushtet, duke premtuar që ta lartësojë Amerikën rurale dhe të zgjerojë shtresën punëtore për të cilën tha të ishte neglizhuar nga establishmenti në Washington.

Kur me mijëra pasues të tij të zemëruar – shumica e të cilëve të bardhë – marshuan drejt Capitolit më 6 janar, ata u rreshtuan prapa pretendimeve të rreme të Trumpit për zgjedhjet e vjedhura. Mësymja rezultoi me një polic dhe katër të tjerë të vdekur, dhjetëra të lënduar dhe një shtet të shkundur.

Trashëgimia më e paharrueshme e tij kur të largohet nga Shtëpia e Bardhë do të mbetet tëhuajësimi politik dhe kulturor i amerikanëve prej njëri-tjetrit. E jo ajo që kishte premtuar para se ta merrte detyrën.

Në vorbullën e të pavërtetave

Image

Në epiqendër të kësaj ndasie, pretendojnë kundërshtarët e Trumpit, është raca. Në fillimin e presidencës së tij, Trumpi fillimisht i rezistoi denoncimit të nacionalistëve të bardhë, pas ngjarjeve të përgjakshme të 2017-s në Charlottesville të Virginias, duke u dhënë sebep perceptimeve se e mbështet kauzën e tyre. Retorika e tij e ashpër shpesh ka përkeqësuar krizat racore që shpërthyen shkaku i vrasjet nga policia të qytetarëve me ngjyrë, përpara syve të tij.

“Mjerisht, ai është rezultat i natyrshëm i historisë së ndasive dhe zaptimit”, në relacionet amerikane të racës, ka thënë William Barber, një aktivist i shquar i të drejtave civile dhe bashkëthemelues i fushatës “Poor People’s”, një lëvizje kjo kundër varfërisë e racizmit, krijimin e së cilës e kishte ndihmuar Martin Luther Kingu në vitet ‘60. “Puna është se, ai vetëm se i shtyu përpara”.

Vetë refuzimi i Trumpit për ta pranuar disfatën karshi presidentit të zgjedhur, Joe Biden, dhe trimërimi i mbështetësve për ta zaptuar Capitolin nënkuptojnë se mandati i tij po merr fund midis një vorbulle të pavërtetash që me miliona republikanë i kanë marrë përzemër, duke e shndërruar në sfidë serioze përfitimin e besimit tek administrata e radhës.

Transferimi i çrregullt i pushtetit është pikërisht rezultat i përhapjes së thelluar të pandemisë që Trumpi kishte minimizuar dhe vështirësive të shtuara financiare nga recesioni i thellë që ajo shkaktoi.

Mbajtja e vendit në teh dhe nxitja e izolimit të Washingtonit e kryeqyteteve të tjera shkaku i sigurisë janë çështje që mund t’i ushqejnë edhe më tepër ekstremistët e së djathtës.

“Kurrë më parë në kohë moderne nuk kemi pasur një presidencë, nën të cilën mosfunksionimi i Amerikës është shpërfaqur kaq përplasshëm”, ka thënë Aaron David Miller, ish-këshilltar i Departamentit të Shtetit për administratë republikane e demokratike.

“Amerika në rend të parë”

Image

Trumpi, ç’është e vërteta, ka fuqizuar bazën e tij duke i shtypur emigrantët, ani pse është kritikuar ashpër për këtë qasje. Bideni synon t’i zhbëjë shumicën e ndërmarrjeve të tij, përfshirë ndalesën për udhëtimin e qytetarëve nga vendet me shumicë myslimane. Çrrënjosjen e idesë së murit ndarës midis SHBA-së dhe Meksikës.

Përtej kufijve, Trumpi ka lartësuar agjendën e tij “Amerika në rend të parë”. Ka shpartalluar apo është tërhequr prej ujdive multilaterale, duke u larguar nga Marrëveshja klimatike e Parisit, ajo për ndaljen e programit bërthamor të Iranit dhe traktatet e armëve me Rusinë. Ka rrënuar aleancat me partnerët e moçëm, derisa në anën tjetër është përafruar me autokratët si Vladimir Putini i Rusisë dhe Kim Jong-Uni i Koresë Veriore.

Por Trumpit i jepet merita që nxiti një qëndrim më të sertë karshi Kinës. U vendosi tarifa me miliarda dollarë importeve kineze, sanksionoi zyrtarët më të lartë për shtypjen në Hong-Kong dhe u vuri penallti kompanive kineze të telekomunikimit.

Administrata e tij e mbajti Kinën përgjegjëse për “gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit” të kryera kundër ujgurëve myslimanë në rajonin XInjiang. Kina i mohoi akuzat për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Trumpi u lavdërua gjithashtu për ndërmjetësimin e marrëveshjeve historike të normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe katër fqinjëve dikur armiqësorë arabë. Dhe i reduktoi forcat amerikane në zonat e konfliktit, si në Afganistan, Irak dhe Siri, ndonëse dështoi që ta tërhiqte tërësisht Amerikën nga “luftërat e pafundme”, siç kishte premtuar gjatë fushatës së 2016-s.

Por krejt ato që Trumpi i bëri si duhet, sipas ish-zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Richard Haass, janë minimizuar nga “dëmi që i shkaktoi demokracisë amerikane”.

Mbështetësit ekstremë

Image

Derisa disa mbështetës të Trumpit ia kanë kthyer kurrizin që prej sulmit në Capitol, shumica duket se ende i qëndrojnë besnikë. Shtatëdhjetë për qind e republikanëve i mbesin luajalë Trumpit, sipas një sondazhi të agjencive Reuters e Ipsos, realizuar menjëherë pas 6 janarit.

Lartësimi i “kërdisë amerikane” prej Trumpit gjatë inaugurimit të tij ishte një apel pikërisht bërë kësaj baze besnikësh, si dhe të varfërve urbanë. Ai kishte thënë se ëndrra e tyre ishte mbytur nga tkurrja ekonomike, krimi, narkotikët dhe humbja e vendeve të punës në vendet e tjera.

Kundërshtarët thonë se Trumpi, një magnat i kamur i patundshmërive, ka bërë fare pak për t’i ndihmuar mu ata. Është zotuar vazhdimisht që ta vrasë pakon e sigurimeve shëndetësore për të gjithë, të njohur si Obamacare, me të cilën me miliona amerikanë do të kishin mbulesa shëndetësore. Lufta e tij tarifore me Kinën i dëmtoi bujqit amerikanë dhe nuk ka nxitur ringjalljen e prodhimit, siç kishte premtuar. Dhe shkurtimet e tija tatimore i fuqizuan kryesisht më të kamurit.

Tani që republikanët e tij janë tkurrur në opozitë në Senat, pyetja është nëse mallkimi që i bëri Trumpi partisë – dhe “trumpizmi” si një lëvizje e mundshme – do të mbijetojnë kur ai më nuk do t’i mbajë frerët e qeverisjes. Të çarat veçse janë krijuar në radhët e republikanëve që prej kërdisë në Capitol dhe partia mund të përballet me një periudhë të kërkimit të vetvetes.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnel, ka thënë të martën se turma e 6 janarit ishte “provokuar prej presidentit dhe figurave të tjera të pushtetshme”.

Vetë dështimi politik i Trumpit mund të jetë gjithashtu në rrezik. Po qe se dënohet nga Senati, në gjykimin e shkarkimit që mund të mbahet pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë, Trumpit mund t’i ndalohet mbajtja e sërishme e detyrës edhe në të ardhmen.

Dhoma Demokrate e Përfaqësuesve ka votuar të mërkurën për shkarkimin e Trumpit, të dytën herë. Senati ende nuk e ka caktuar fillimin e gjykimit, që do ta përcaktonte fajësinë apo pafajësinë e presidentit në largim. McConnell kishte thënë javën e shkuar se do t’i dëgjonte argumentet e paraqitura gjatë gjykimit në Senat, para se të vendoste se si të votonte rreth akuzës së shkarkimit për nxitje të kryengritjes me rastin e ngjarjeve në Capitol. Lideri demokrat i Senatit, Chuck Schumer, i cili pritet të caktohet lider i shumicës në Senat gjatë ditëve në vijim, ka thënë në një fjalim para kësaj dhome se Trumpi “përbën kërcënim për rendin kushtetuese, qoftë sa është në detyrë apo pas saj”. \ Reuters