Uashington, 17 janar (Reuters) - Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Bhiden, është duke planifikuar një seri urdhrash ekzekutivë sapo të marrë detyrën, të mërkurën e javës së ardhshme.
Bideni pritet të publikojë dekrete për të tërhequr ndalesën e udhëtimeve, të miratuar nga presidenti Donald Trump, dhe të rikthehet në Marrëveshjen Klimatike të Parisit. Këto pritet t’i bëjë që në ditën e tij të parë si president.
Kryeqytetet në alarm
Presidenti i zgjedhur pritet që të përqendrohet në ribashkimin e fëmijëve të ndarë nga familjet në kufi me Meksikën dhe të bëjë të obligueshme mbajtjen e maskave.
Të gjitha 50 shtetet amerikane janë në gjendje gatishmërie, për shkak të dhunës që mund të shpërthejë në ditën e ceremonisë së inaugurimit të Bidenit.
Trupat e Gardës Kombëtare janë vendosur në tërë Uashingtonin.
Sapo të shkelë në Shtëpinë e Bardhë, Bideni do të miratojë një blic veprimesh që sinjalizojnë ndarjen nga politikat e administratës së Trumpit.
Në mesin e urdhrave të planifikuar të Bidenit janë kthimi në Marrëveshjen Klimatike të Parisit, tërheqjen e ndalesës së udhëtimeve për shtetet me shumicë myslimane, dhe izolimin e shteteve për të parandaluar përhapjen e madhe të koronavirusit në SHBA.
Sipas mediave, këta urdhra ekzekutivë janë pjesë e planit ambicioz të Bidenit për dhjetë ditët e tij të para në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i zgjedhur pritet gjithashtu të shtyjë përpara në Kongres edhe një ligj për imigrantët, si dhe planin e stimulimit financiar prej 1.9 trilionë dollarësh për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia e koronavirusit.
Vaksinimi, sfida e parë e madhe
Bideni ka thënë se do të sigurojë 100 milionë vaksina gjatë 100 ditëve të para në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Bideni po e merr timonin e vendit në kullmin e pandemisë së pashembullt. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar 400 mijë vdekje nga COVID-19.
Mijëra trupa të armatosura të Gardës Kombëtare tashmë janë vendosur në Uashington. Autoritetet po planifikojnë që të mbyllin për qarkullim rrugë dhe ura që çojnë për në Uashington.
Ndërkaq, guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Garda Kombëtare t’i ndihmojë zyrtarët lokalë të rendit, dhe disa shtete amerikane tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, nga frika se mund të ketë protesta, të ngjashme si ato më 6 janar në Kongresin Amerikan, ku mbetën të vdekur pesë persona.
Më 16 janar, në Uashington u arrestua një person i cili kishte tentuar që të kalonte një post-bllok të policisë, teksa në pronësi i ishin gjetur një armë dhe municion.
Ky person më pas është liruar, ka raportuar “Washington Post”. Ai u kishte thënë autoriteteve se është kontraktuar që të punojë si sigurim, por ka harruar që në bagazhin e makinës së tij kishte pasur një armë dhe municion. Policia më pas e ka liruar atë.
Në mbarë Shtetet e Bashkuara qytetet po përgatiten për protesta potenciale.
Më 6 janar, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, hynë në ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Bideni do të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar. Presidenti në largim, Trump, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë ceremoni.