Botë

Ish-ushtarët kryengritës e plani për vrasje: Ana e errët e zaptimit në Capitol

Derisa mbështetësit e presidentit Donald Trump po mblidheshin përpara ndërtesës së Capitolit javën e shkuar dhe po e intononin himnin amerikan, një grup burrash kishin plane të tjera.

Prokurorët federalë kanë ofruar një vlerësim të ri, shumë më të zymtë për rrethimin e javës së shkuar në Washington, duke bërë të ditur në një dokument të gjykatës se protestuesit kishin bërë plane për “t’i kapur dhe vrarë zyrtarët e zgjedhur”. Këtë gjë prokurorët e shtetit të Arizonas e përfshinë në një dosje, me të cilën i kërkuan një gjykatësi ta arrestonte Jacob Chansleyin, një ithtar i grupit të teorive të konspiracionit “Qanon”, i cili ishte fotografuar me kapele vikingësh me brirë teksa ishte ulur para tryezës së nënpresidentit, Mike Pence, në Senat.

Kërkesa për arrestim, e shkruar nga gjyqtarët e Departamentit të Drejtësisë në këtë shtet, lëshohet në hollësi të tjera lidhur me hetimin e ndërmarrë nga FBI-ja kundër Chansleyit, duke zbuluar se ai ia kishte lënë një shënim Pences me të cilën po e paralajmëronte se “është vetëm çështje kohe, drejtësia do të vijë”.

“Dëshmi të forta, përfshirë vetë fjalët dhe veprimet e Chansleyit në Capitol, e mbështesin se synimi i bastisëve të Capitolit ishte që të kapte dhe vriste zyrtarët e zgjedhur të Qeverisë amerikane”, kanë shkruar prokurorët. Një avokat publik që përfaqëson Chansleyin nuk ka mundur të kontaktohej për ta komentuar një gjë të tillë.

Vetëm pak orë pas njoftimit të prokurorisë në Arizona, prokurori kryesor federal në Washington ka bërë të ditur se nuk ekzistojnë “dëshmi të drejtpërdrejta” që sugjerojnë se protestuesit kishin krijuar “ekipe të kapjes e vrasjes”. Komentet e ushtruesit të detyrës së prokurorit, Michael Sherwin, janë cilësuar si përpjekje për t’i sprapsur pretendimet e mëhershme.

Ish-ushtarakë mes turmash

Image

Mirëpo jo krejt puna merr fund me kaq. Agjencia e lajmeve Associated Press, nëpërmjet rishikimit të të dhënave publike, postimeve në medie sociale dhe videove ka nxjerrë përfundimin se të paktën 21 anëtarë aktualë dhe të dikurshëm të ushtrisë dhe forcave të zbatimit të ligjit në SHBA janë identifikuar të kenë qenë në apo pranë turmave në Capitol.

Me dhjetëra sosh janë vënë tanimë nën hetime, por emrat e tyre nuk janë bërë të ditur.

Në shumë raste, sipas AP-së, ata që bastisën Capitolin dukej të kishin zbatuar taktika, kishin bartur jelekë antiplumb dhe kishin bartur mjete teknologjike, si radiolidhjet, të ngjashme me ato që i posedon policia.

Ekspertët e ekstremizmit të brendshëm në SHBA kishin paralajmëruar prej vitesh rreth përpjekjeve të militantëve të së djathtës ekstreme dhe grupeve të supremacisë së bardhë për të radikalizuar dhe rekrutuar njerëz me trajnime ushtarake dhe policore. Dhe, sipas tyre, kryengritja e 6 janarit, në të cilën mbetën të vdekur pesë persona, ka shpënë në jetësimin e frikës më të madhe të tyre.

“ISIS-i dhe ‘Al-Qaeda’ do të vdisnin për të pasur në radhë të tyre dikë që ka trajnimin dhe përvojën e një ushtaraku amerikan”, ka thënë Micahel German, ish-agjent i FBI-së dhe anëtar i Qendrës Brennan për Drejtësi në Universitetin e New Yorkut. “Këta persona kanë trajnimin dhe aftësitë që i tejkalojnë ato që mund t’i bëjë një grup i huaj terrorist. Grupet e huaja terroriste nuk kanë ndonjë anëtar me dekorata ushtarake”.

Në mesin e më të shquarve që është identifikuar është lejtënantkoloneli i pensionuar i Forcave Ajrore dhe veterani i dekoruar nga Teksasi, i cili ishte arrestuar pasi të ishte fotografuar me helmetë në kokë dhe me veshje antiplumb në Senat, duke bartur një palë pranga në duar. Një tjetër veterane e Forcave Ajrore nga San Diego ishte qëlluar për vdekje nga policët e Capitolit, teksa po përpiqej të kalonte përtej barrikadave afër Capitolit.

Dy policë nga një qytet i vogël i Virginias ishin arrestuar nga FBI-ja, pasi postuan një selfie para Capitolit. Nën vëzhgim është vënë edhe një komandant aktiv nga Karolina e Veriut, i cili kishte organizuar tre autobusë përplot me njerëz për udhëtim drejt Washingtonit për tubimin “Shpëto Amerikën” në mbështetje të pretendimit të pabazë të presidentit për vjedhjen e votave.

Derisa Pentagoni ka refuzuar që të japë ndonjë vlerësim se sa pjesëtarë aktivë të ushtrisë janë nën hetime, liderët kryesorë në ushtri ishin aq të shqetësuar para inaugurimit të Joe Bidenit president, saqë kanë lëshuar një paralajmërim të pazakontë për të gjithë pjesëtarët e shërbimit se e drejta për shprehje të lirë nuk i jep askujt të drejtë për të kryer dhunë.

Shenjat e mëhershme

Image

Stewart Rhodes, një veteran i ushtrisë që ka themeluar më 2009 lëvizjen “Oath Keepers” si një reagim ndaj presidencës së Barack Obamas, ka paralajmëruar shumë javë para ngjarjeve në Capitol se grupi i tij po përgatitet për një luftë civile dhe se ishte “armatosur e përgatitur për t’u nisur nëse këtë e kërkon presidenti”.

Por në veprime të ngjashme ai assesi nuk ishte i vetëm. Komandantët ushtarakë në bazën Fort Bragg në Karolinën Veriore janë duke e hetuar përfshirjen e mundshme të komandantes Emily Rainey, oficere 30-vjeçare e operacioneve psikologjike dhe veterane nga lufta e Afganistanit, e cila kishte thënë për AP-në të kishte udhëtuar bashkë me 100 të tjerë në Washington për “t’u ngritur kundër mashtrimit zgjedhor”. Ajo ka insistuar të ketë vepruar sipas rregullave ushtarake dhe se asnjëri nga grupi i saj nuk kishte hyrë në Capitol apo shkelur ligjin.

Më shumë se 100 persona janë arrestuar deri më tani për akuzat e ndërlidhura me bastisjen në Capitol. Akuzat nisin prej shkeljes së masës së orës policore e deri te krimet më të rënda federale për plaçkitje dhe posedim armësh.

Brian Harrell, i cili ka shërbyer si ndihmëssekretar për mbrojtje të infrastrukturës në Departamentin e Sigurisë së Brendshme, ka thënë se është “qartazi problematike” kur “aktorë të këqij ekstremistë” kanë sfond ushtarak dhe policor.

“Shumica u janë nënshtruar trajnimeve të specializuara, kanë përjetuar fushëbetejat dhe pothuajse të gjithë kanë qenë tejet të dezinformuar dhe nën ndikimin e propagandave të burimeve të paligjshme”, ka thënë Harrell. “Ata nxiten prej teorive konspirative, ndjejnë sikur diçka po u vidhet dhe nuk janë të interesuar për debat. E ky është një koktej që pret të shpërthejë”.

FBI-ja tani po paralajmëron për mundësinë e gjakderdhjeve të tjera. Në një buletin të brendshëm lëshuar të dielën, byroja ka bërë të ditur se plane për protesta të armatosura po bëhen në të gjitha 50 kryeqytetet amerikane dhe në Washington DC, gjatë javëve të ardhshme. \ AP