Botë

Putin urdhëron fillimin e vaksinimit masiv për koronavirus në Rusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar zyrtarët të mërkurën që të fillohet me vaksinimin masiv me vaksinën anti-COVID javën e ardhshme dhe të hapet programi i vaksinimit për gjithë rusët.

Rusia, që është vendi i katërt në botë për nga rastet pozitive me COVID-19, ka filluar vaksinimin e një shkalle të lartë muajin e kaluar.

Fondi sovran RDIF ka thënë se 1.5 milionë rusë janë vaksinuar tashmë me vaksinën ruse anti-Covid, Sputnik V.

“Po ju kërkoj që të filloni me vaksinimin masiv të gjithë popullatës duke nisur nga java e ardhshme”, u ka thënë Putin zyrtarëve qeveritarë në një takim të Qeverisë nëpërmjet videolidhijes.

Zëvendëskryeministrja Tatiana Golikova ka thënë se autoritetet do të jenë të gatshme për ta zgjeruar programin e vaksinimit nga e hëna.

Rusia nuk ka aplikuar një mbyllje gjatë valës së dytë të infeksionit që ka nisur në shtator dhe zyrtarët kanë thënë se kufizimet që po aplikojnë janë të mjaftueshme për ta frenuar virusin.