Botë

Gjermania do t’i vazhdojë masat kufizuese edhe në shkurt

Descriptive Text

Gjermania nuk do të jetë në gjendje t’i heqë të gjitha masat kufizuese në fillim të shkurtit, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, duke insistuar se duhet reduktuar kontaktet për të evituar ndonjë variant më përhapës të koronavirusit, njofton agjencia Reuters.

Kabineti gjerman të mërkurën ka aprovuar kontrollet më strikte ndaj njerëzve që futen në vend, pasi mbyllja nacionale është zgjatur javën e kaluar derinë fund të janarit dhe janë ashpërsuar edhe më tej masat.

“Një gjë është evidente tashmë: Nuk do të jetë e mundur të hiqen të gjitha masat kufizuese më 1 shkurt”, ka thënë Spahn për radiostacionin “Deutschlandfunk”, duke shtuar se duhen së paku dy-tre muaj për t’u vërejtur efektet e fushatës së vaksinimit.

Instituti Robert Koch (RKI) për sëmundje infektive ka raportuar se në 24 orët e fundit në Gjermani kanë vdekur 1060 persona si pasojë e COVID-19, duke çuar shifrën totale të vdekurve në 42.637. Janë regjistruar 19.600 raste pozitive në 24 orët e fundit.

Me masat e reja u kërkohet njerëzve që vijnë nga shtetet me numër të madh të rasteve me COVID apo nga shtetet ku po qarkullon variant më ngjitës i koronavirusit, që t’i nënshtrohen testit PCR.

Kancelarja gjermane Angela Merkel po ashtu u ka thënë ligjvënësve të martën se 8-10 javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira nëse varianti më infektues i koronavirusit i identifikuar në Britani do të përhapet në Gjermani.

Ministri i Gjermanisë, Olaf Scholz, ndërkohë, ka premtuar se Qeveria do të vazhdojë t’i përkrah kompanitë e goditura nga pandemia.

“Do të vazhdojmë të bëjmë këtë derisa të jetë e nevojshme”, tha Scholz për transmetuesin gjerman ZDF.