Përhapja e COVID-19 ka lënë shumë punëtorë pa punë, duke i detyruar shumë prej tyre që të kërkojnë ndihmë për nevoja elementare ushqimore. Një ekip i televizionit nga Katari ka qëndruar një ditë të tërë në bankën londineze të ushqimit
Jashtë ndërtesës njëkatëshe verdh e kaltër në Brent të Londrës veriperëndimore, kanë filluar të mblidhen turma njerëzish. Është dhjetë e gjysmë e paradites në një të marte mesdhjetori. Disa prej njerëzve skajohen e mundohen të mbrohen nga një rigë shiu.
Në njëmbëdhjetë, banka e ushqimit “Sufra” fillon shpërndarjen e shujtave të para të ushqimit.
Kjo është njëra prej lagjeve më të varfra të kryeqytetit britanik. Dikur ishte ndërtuar si një lagje që ishte në lulëzim, duke ofruar shtëpi me qira me çmim të volitshëm, megjithatë me kalimin e viteve është lënë pas dore.
Dhe të dhënat tregojnë se një në tri familje në Brent jeton në varfëri, përderisa në shkallë vendi, një në pesë familje është nën kufirin e varfërisë. Ka njerëz që nuk ia dalin të sigurojnë as bukën e gojës.
Ndikimi i pandemisë
Viteve të fundit është ngritur përdorimi i bankave të ushqimit në Britani të Madhe pas dhjetë vjetësh të masave të shkurtimeve buxhetore të Qeverisë britanike. Londra zyrtare ka nisur edhe një mori reformash në sistemin e mirëqenies sociale dhe ka një boshllëk të madh ndërmjet të hyrave dhe kostos se jetesës. Dhe me thellimin e krizës ekonomike sherri i pandemisë së koronavirusit, është ngritur edhe shkalla e pabarazisë në mbarë vendin. Dhe bankat e ushqimit në mbarë Britaninë thonë se po e kanë të vështirë t’i përmbushin të gjitha kërkesat për ushqim. Kjo shihet edhe në radhën e gjatë të qytetarëve që po presin në Londrën veriperëndimore.
“COVID-i nuk e ka krijuar këtë problem, vetëm sa ndihmoi që njerëzit ta shohin”, thekson Fahim Dahya, menaxher i logjistikës në “Sufra”. Ai ndihmoi njëherësh për themelimin e bankës së ushqimit me themeluesin kryesor, Mohammed Sadiq Mamdani në prillin e vitit 2013, pasi kishte punuar në një kamp rinor të zonë dhe pa me sytë e tij se si familjet në rrethinë po përballeshin me mungesë të ushqimit. Tashmë gjysma e ushqimit të “Sufras” sigurohet prej donatorëve që duan të ndihmojnë familjet e zhytura në mjerim.
“Më shumë se bankë ushqimi”
“Prisnim të shpërthenim këtë javë për shkak se skema do të mbaronte, pastaj u mor vendim që skema sociale të vazhdohet edhe pak, kështu që ende nuk na ka shpërthyer koka, por shumë shpejt na pret ky fund”, thekson Fahim, derisa shpërndan ushqim për britanikët që detyrohen të kërkojnë lëmoshë për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe pagave të ulëta që nuk u sigurojnë mirëqenie elementare.
Në fillim të ditës, Nina Parmar, koordinatore vullnetare, thotë se “Sufra” është më shumë se bankë ushqimi. “Komuniteti është në zemër të projekteve të ndryshme të menaxhuara nga ‘Sufra’ – ne e dimë se ndihma ushqimore nuk është zgjidhje për varfërinë e ushqimit dhe ne po punojmë fort që të mbështesim mysafirët tanë në shumë mënyra të tjera që më të mos kenë nevojë për qasje në banka ushqimore”.
Para pandemisë, mysafirët e bankave të ushqimit ftoheshin brenda dhe u ofrohej nga një filxhan çaj, derisa prisnin t’u jepeshin shujtat.
Gjatë të premteve mbrëma, kuzhina e komunitetit të “Sufras” mblidhte 90 dhe u shërbeheshin edhe vakte me receta vegjetariane. Për shumë prej përfituesve, këto ishin ndodhi shoqërore, ku të varfrit kalonin çaste shoqërimi dhe i harronin shqetësimet e përditshme. Tani, nuk lejohet që të afrohen as jashtë, për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit.
“Procesi tani është më shterp”, thekson Nina. “Po mundohemi që të ketë sa më pak rrezik për njëri-tjetrin”.