Botë

Anglia e Skocia sërish në izolim shkaku i virusit të ri

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka urdhëruar të hënën izolimin e gjithmbarshëm të Anglisë në përpjekje për ta frenuar shtimin e rasteve të infektimit me variantin e ri, shumë më përhapës të koronavirusit.

Britania e Madhe ka evidentuar rastet e para të infektimit me variantin e ri të koronavirusit gjatë mesit të dhjetorit dhe që atëherë është ballafaquar me shtim të rasteve dhe izolim mbarëbotëror.

Gjatë një adresimi para kombit, Johnson ka thënë se forma e re e virusit është duke u përhapur me hov të madh dhe se nevojitet veprim urgjent për frenimin e tij. Ai ka bërë të ditur se masat do të përfshijnë mbylljen e shkollave qysh nga e marta dhe mbylljen brenda shtëpive të të gjithë qytetarëve. Një vendim i ngjashëm është marrë gjatë së hënës edhe në Skocia.

Ministrja e parë, Nicola Sturgeon, ka thënë se që nga mesnata e së hënës qytetarëve do t’u nevojiten leje të veçanta për dalje nga shtëpitë. Ajo ka shtuar se situata me COVID-19 tani është më shqetësuese se para marsit të shkuar, ndërsa ka specifikuar se varianti i ri i virusit pandemik aktualisht është përgjegjës për pothuajse gjysmën e rasteve të reja në mbarë Skocinë.