Botë

Senati hedh poshtë veton e Trumpit

Foto: Reuters

Kongresi amerikan ka anashkaluar veton e presidentit Donald Trump për projektligjin për Mbrojtjen, si veprimin e parë të tillë që e bënë që kur ai mori postin katër vjet më parë.

Në një seancë të jashtëzakonshme në vitin e ri, Senati i kontrolluar nga partia e Trumpit, ajo Republikane, e anashkaloi lehtë veton.

Trumpi ia vuri veton projektligjit javën e shkuar duke thënë se dëshironte ta bllokonte sepse donte të anulonte mbrojtjen nga paditë ligjore që gëzojnë kompanitë e rrjeteve sociale. Ai kundërshtoi edhe klauzolën për të ndryshuar emrat e bazave ushtarake që kujtojnë gjeneralë që luftuan në emër të Konfederatës gjatë Luftës Civile.

Ligjvënësit me këtë i kanë dhënë goditjen e fuqishme Trumpit, që është pak ditë para përmbylljes së mandatit.

Në Senat rezultati kundër Trumpit ishte 81:13.

Projektligji, i cili përfshin një numër klauzolash për politikat e mbrojtjes dhe një rritje rroge për trupat amerikane, është miratuar pa probleme çdo vit që nga 1961. Vlera e tij ishte 740 miliardë dollarë.