Botë

Një tërmet 6.4 ballësh goditi Kroacinë, raportohet për dëme

Descriptive Text

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Kroacinë rreth orës 12:20 të martën. Sipas informacioneve të para, tërmeti ishte me magnitudë 6.4 shkalla Rihter. Tërmeti ka epiqendër në thellësinë 44 km dhe ka ndodhur në afërsi të Zagrebit.

Në raportimet e para janë deklaruar dëmtime në ndërtesa, por nuk ka ende një raport për numrin e të lënduarve.

{gallery}

E njëjta zonë u godit nga një tërmet ditën e djeshme me magnitudë 5.2.

Mediumi kroat “index.hr” raporton për shumë rrënoja në Petrinje, probleme të shumta me rrymë e alarmim te qytetarët që kanë dalë rrugëve.

Mediat serbe raportojnë se edhe Serbia është lëkundur nga ky tërmet.

Është ndalur edhe puna e centralit bërthamor. Centrali është i ndërtuar asisoj që të jetë i qëndrueshëm ndaj tërmeteve edhe më të fuqishme nga ato që kanë ndodhur tani. Konstruksioni i tij, do të përballonte dridhje deri në 7.9 shkallë.

Image

 

 


Deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj-Përlaskaj, ka thënë për KOHËN se në Zagreb është shkaktuar kaos pas lëkundjes së madhe nga tërmeti. Ajo ka treguar se nuk funksionojnë as linjat telefonike, e se rryma është ndërprerë.

“Ka shumë njerëz që kanë dalë në qendër të qytetit. Është një qendër ku kanë nisur të bëjnë rinovime pas tërmetit të marsit, por tash ka prapë prishje. Megjithatë zona më e goditur mbetet ajo në Petrinje, rreth 70 kilometra më larg Zagrebit, ku ishte dridhja e fuqishme. Aty janë prishur shumë kulme shtëpish e po raportohet edhe për dëme më të mëdha”, ka thënë ajo.

Lekaj-Përlaskaj ka bërë të ditur se në këtë zonë ka shqiptarë, por ka shtuar se është bërë i vështirë komunikimi me ta për shkak të rënies së linjave telefonike.


Tërmeti në Kroaci u ndie nga gjashtë milionë njerëz

Qendra Euro-Mediterane Sizmologjike ka thënë se rreth gjashtë milionë njerëz kanë ndier tërmetin e fuqishëm të së martës që goditi Petrinjën në Kroaci.

Sipas EMSC-së, tërmeti është ndier në shumë shtete të rajonit.

Bosnja e Hercegovina, Çekia, Gjermania, Hungaria, Italia, Mali i Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia e Austria raportohet të kenë ndier dridhjet.

 

Për tërmetin e rëndë në Kroaci ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka thënë se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme.