Botë

Ekspertët këshillojnë Zvicrën të futet në izolim dhe të ndërmarrë masa strikte

Foto: Reuters

Ekspertët e kanë këshilluar qeverinë zvicerane që vendi të izolohet menjëherë dhe të ndërmerren masa strikte në mënyrë që të ulet lakorja e të infektuarve me koronavirus, raporton Reuters.

Ky grup i ekspertëve u bashkohet thirrjeve të shkencëtarëve, zyrtarëve dhe mjekëve që të ndërmerren këto masa.

“Mendojmë se duhet të ndërmarrim masa të fuqishme, sa më herët aq më mirë”, ka thënë Martin Ackermann, që udhëheq një organ këshilldhënës të pavarur shkencor për COVID-19.

Ai bëri thirrje që të mbyllen restorantet dhe dyqanet jo esenciale dhe bëri thirrje që të ketë rregulla strikte të punës nga shtëpia.

“Kemi frikë se do të shohim më shumë kontakte të afërta gjatë pushimeve të fundvitit. Kemi një situatë të keqe dhe rrezik të madh se do të bëhet edhe më keq”, shprehet ai.

Në 24 orët e fundit në Zvicër janë infektuar 4271 persona, derisa janë regjistruar 103 të vdekur. Këtë muaj më shumë se 55 mijë persona u infektuan me COVID-19 dhe vdiqën 962, në vendin me popullatë prej 8.5 milionë banorë.

Ndryshe nga vendet fqinje të saj, Zvicra deri më tani është përmbajtur nga imponimi i një izolimi tjetër, kryesisht duke mbajtur rekomandimet dhe duke urdhëruar restorantet, baret dhe dyqanet që të mbyllen nga ora 19:00. Derisa edhe resortet e skijimit mbeten të hapura.