“Deri para njëorësh, 12 prej 18 shtretërve tanë të kujdesit intensiv ishin të zënë”, thekson Demetrio Labate, derisa merret me veshjet e tij mbrojtëse. “Por tani i kemi njëmbëdhjetë. Na vdiq edhe një pacient – ishte 82 vjeç”.
Mjeku i ICU-së na ofron dorashkat kirurgjike, mat temperaturën e ekipit televiziv të BBC-së dhe nuk lë pjesë të ekspozuar të trupit pa e mbuluar me materiale mbrojtëse – dhe pas krejt këtij procesi, ai prin në njësitin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 të Spitalit të Madh të Ospedales, spitali më i madh në rrethinën e Kalabrisë.
Vala e dytë
Ky rajon në shputën jugore të Italisë do të shpallej menjëherë “zonë e kuqe” në fillim të nëntorit kur nisi të përhapej virusi me të madhe në këtë anë.
“Vala e dytë ka goditur më shumë se e para”, thekson ai, derisa vazhdon të prijë ndërmjet shtretërve të pacientëve që mezi po marrin frymë. “Kemi mungesë të personelit – dhe edhe ata që i kemi, po i angazhojmë me punë shtesë me orare të zgjatura”.

Njëra prej pacienteve ka vetëdije, derisa po mbahet me helmetë ventilimi. Ajo ua bën me dorë mjekëve, shenjë se ka shpresë kur sheh fytyrat e rraskapitura të mjekëve.
“Ne po luftojmë si këta luanë që të mos gjunjëzohemi”, thekson Lole Fantozzi, drejtor i spitalit. “Kjo valë ishte e parashikueshme, sepse u çliruam gjatë verës kur rastet ishin të pakta dhe njerëzit vinin e shkonin nga Kalabria”.
Italia ishte vendi i parë në Perëndim që do të goditej nga pandemia dhe për njëfarë kohe ishte kthyer në epiqendër botërore të koronavirusit.
Në vendin e tetë në mesin e vendeve më të prekura nga pandemia në botë, gjatë këtij muaji është në vendin e dytë në Evropë, duke kaluar numrin e pesëdhjetë mijë vdekjeve.
Çmimi i lartë
Në korrik, kur infektimet e përditshme ranë në njëqind sosh, u krijua një ndjenjë sigurie për shkak se Italia nuk kishte lejuar turma të mëdha turistësh dhe kufizimet u kthyen. Por tani po paguan çmim të lartë, derisa po sfidohet nga vala e dytë vdekjeprurëse – dhe përsëri, numri i vdekjeve është në mesin e më të lartëve në Evropë.
Por ndryshe nga marsi, kur pandemia ishte përqendruar në rajonin verior të Lombardisë, vala e dytë po godet vendet e varfra të pjesës jugore të vendit. Kalabria është një prej rajoneve më të varfra të Italisë dhe Evropës. Dhe derisa shkalla e infektimit në këtë anë është e lartë dhe numri i shtretërve të kujdesit intensiv është më i ulët se në veri të Italisë, sistemi shëndetësor vendas po përballet me krizë të madhe – duke bërë që të kategorizohet si rajon me shkallën më të lartë të rrezikut nga pandemia e koronavirusit.
Pse jugu po vuan më shumë
Kalabria ishte lënë anash për dekada me radhë për shkak të keqmenaxhimit politik dhe rënies në duar të mafisë lokale, “Ndrangheta”, që ia ka dalë të infiltrohet edhe në sistemin shëndetësor.
Bandat kriminale kanë uzurpuar resurset dhe i kanë zhytur në borxhe të thella, duke i shtrënguar të mbyllen tetëmbëdhjetë spitale rajonale, por duke shkurtuar edhe inkuadrimet në ujëra të zeza, numrin e shtretërve dhe të personelit spitalor.
Disa ditë më parë, një politikan i lartë lokal u arrestua, u akuzua për shpëlarje parash nëpërmjet barnatoreve të kontrolluara nga “Ndrangheta” në këmbim të mbështetjes nga mafia.

Korrupsioni i madh ka ashpërsuar edhe më shumë gjendjen e krijuar nga dështimet politike: dy komisarë të shëndetësisë për rajonin u shkarkuan brenda muajit të kaluar. Njëri u shkarkua pasi vlerësoi se maskat e fytyrës ishin të padobishme dhe tha se mund të infektohesh me virus vetëm nëse e puth një person me gjuhë për pesëmbëdhjetë minuta.
Dy kandidatët e tjerë të nominuar nga qeveria refuzuan këtë vend pune.
“Pandemi” që s’i gjendet vaksina
“Kalabria ka ngelur pa spitale të duhura për t’i përballuar kërkesat e koronavirusit – andaj ra krejt sistemi”, thekson Santo Fioffre, shef i një autoriteti lokal. Ai kishte ekspozuar mashtrimet e pesë vjetëve të kaluar, por thotë se autoritetet ia mbyllën gojën.
Situata e jashtëzakonshme shëndetësore po e shkatërron ekonominë e Kalabrisë. Dizajni i “zonës së kuqe” po i mbyll bizneset për herë të dytë brenda vitit.
Mafia po konsiderohet si pandemi e dytë.
Në restorantin e Filippo Cogliandros, “L’A Gournet”, karriget janë hedhur mbi tavolina. Janë fikur dritat dhe heshtja mbisundon në kuzhinë.
“Restoranti është si orkestra”, thekson ai, duke i përshkruar tingujt e enëve të zierjes dhe pjatave të shërbimit. “Dhe është e rëndë ta shohësh këtë heshtje”, shton ai, me lotët që i rrjedhin faqeve.
Për shefin me çmime të njohura kulinarie, gjendja ia kujton kohën e para dymbëdhjetë vjetëve, kur kishte refuzuar të paguante haraçin te “Ndranghetta” dhe mafia e kishte kërcënuar se nuk do ta lejonte asnjë myshteri të futej në restorant. Por mezi ia kishte dalë ta rimerrte veten si sipërmarrës. Dyshon se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe një herë.
“’Ndranghetta’ dhe COVID-i janë që të dyja pandemi”, thekson ai në një pasdite me diell, rrezet e të cilit depërtojnë nëpërmjet xhamave të dritareve në objektin njëqindvjeçar ku ndodhet restoranti i tij. “Ne do ta shkatërrojmë virusin me vaksinë – por vaksina kundër mafisë do të zgjasë më shumë”, thekson ai.
Italia ka nisur ta rrafshojë përsëri kurbën dhe shkalla e infektimeve ka nisur të bjerë në shumicën e rajoneve, përfshirë edhe Kalabrinë, që tani është zhvendosur nga zona e kuqe në të portokalltën si rezultat i kujdesit më të madh të banorëve vendas. Por në këtë qoshe të Italisë së frikësuar nga koronavirusi, është zbehur edhe fryma e njerëzve qejfli.
