Botë

Me spitalet e gjunjëzuara, SHBA-ja hedh një hap tutje drejt aprovimit të vaksinës

Descriptive Text

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është zotuar që të mbështesë zinxhirët amerikanë të vaksinave, teksa Kongresi ka avancuar drejt miratimit të pakos së ndihmave financiare lidhur me COVID-19, në kohën kur edhe 203.474 infeksione të reja e edhe 1582 vdekje janë raportuar në shkallë vendi gjatë së martës

Washington-Londër, 8 dhjetor (Reuters) – Rregullatorët amerikanë kanë hedhur të martën një hap të rëndësishëm tutje drejt aprovimit të vaksinës së “Pfizerit” kundër COVID-19, ndërkohë që një grua britanike 90-vjeçare është bërë personi i parë që ka marrë këtë kurë jashtë testimeve klinike, duke ofruar shpresën për ngadalësimin e pandemisë që ka vënë buzë kolapsit spitalet kudo në botë.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është zotuar që të mbështesë zinxhirët amerikanë të vaksinave, teksa Kongresi ka avancuar drejt miratimit të pakos së ndihmave financiare lidhur me COVID-19, në kohën kur edhe 203.474 infeksione të reja e edhe 1582 vdekje janë raportuar në shkallë vendi gjatë së martës.

Kompania “Pfizer” është vënë buzë sigurimit të aprovimit amerikan për vaksinën që zhvilloi në bashkëpunim me partneren gjermane “BioNtech”, duke e kapërcyer të martën edhe një pengesë tjetër, pasi Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) i publikoi dokumentet që nuk ngrenë shqetësime të reja lidhur me sigurinë apo efikasitetin e saj.

Britania e Madhe kishte aprovuar vaksinën e “Pfizerit”, duke ia bërë të mundur 90-vjeçares Margaret Keenan që ta marrë dozën e parë të saj në një spital lokal të Coventryt, në Anglinë Qendrore.

“Është kjo dhurata më e mirë e hershme për ditëlindje që do të mund të dëshiroja, ngase nënkupton se më në fund mund të shpresoj se do të kaloj kohë të mirë me familjen dhe me miqtë për Vitin e Ri, pasi të kem mbetur vetëm gjatë pjesës më të madhe të kohës, këtë vit”, ka thënë Keenan, pasi e mori vaksinën.

Një hap të tillë drejt vaksinimit me kurën kundër koronavirusit shumë shpejt mund ta hedhë edhe SHBA-ja, pasi një panel i këshilltarëve të jashtëm të FDA-së u takua të martën për të diskutuar nëse ta rekomandojë autorizimin për përdorim emergjent të vaksinës së “Pfizerit”. Zyrtarë amerikanë të shëndetësisë kanë parashikuar dritë jeshile, duke aluduar kësisoj se injektimet mund të fillojnë pas disa ditësh apo javësh.

Presidenti në largim, Donald Trump, do të nënshkruajë së shpejti urdhrin ekzekutiv për të siguruar që qasje prioritare në vaksinat kundër COVID-19 të kenë qytetarët amerikanë, para atyre të shteteve të tjera.

Dhënia e vaksinës, njëra prej tri dozave të së cilës është raportuar si e suksesshme nëpër testime, nxit shpresën se bota mund të marrë kah tjetër në betejën kundër pandemisë, e cila deri më tani ka lënë më shumë se 1.5 milionë të vdekur.

Britania, njëra prej vendeve më të goditura evropiane me mbi 61.000 të vdekur, ka bërë të ditur se të vaksinuarit gjatë së martës duhet të presin edhe tri javë të tjera për marrjen e dozave të dyta. Mirëpo ende nuk ka dëshmi të qëndrueshme se imunizimi mund ta kufizojnë bartjen e virusit.

“Vaksina do ta bëjë gradualisht dallimin e madh, shumë të madh. Por e theksoj gradualisht, ngase ende nuk kemi arritur deri aty. Nuk e kemi mposhtur këtë virus ende”, ka thënë të martën kryeministri britanik, Boris Johnson.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se pret që miliona qytetarë të vaksinohen deri në fund të vitit dhe e përshkroi fillimin e këtij procesi si “Dita-V”. Por ai tërhoqi vëmendjen se njerëzit duhet, megjithëkëtë, të respektojnë rregullat e distancës sociale deri të paktën në pranverë, kur besohet se do të vaksinohen shumica e qytetarëve më të cenuar.

Një zyrtare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se vetëm masat e shëndetit publik, e jo vaksinat, mund të frenojnë shpërndarjen e madhe të rasteve me COVID-19. Kur është pyetur gjatë një konference për media në Gjenevë nëse vala e tretë mund të parandalohet nga vaksinat, Margaret Harris ka thënë se vaksinat janë mjet jashtëzakonisht i rëndësishëm, porse ende nuk mund të krijojnë imunitet të plotë.

“Vaksinat janë mjet i jashtëzakonshëm, do të jenë të dobishme, por efekti i vaksinës për ofrimin e një barriere imunitare është ende i largët”, ka thënë ajo.

Harris ka këmbëngulur gjithashtu se masat, si mbajtja e maskës, distanca fizike dhe higjiena do të vazhdojnë të jenë thelbësore për mospërhapje masive të rasteve të infektimit me koronavirus. “Gjërat që duhet të bëhen për të frenuar ngritjen, shpërthimin ose sido që dëshironi ta quani, janë masat e shëndetit publik”.

Britania e Madhe ka porositur furnizime të mjaftueshme me vaksinat e “Pfizer”-”BioNTech” për 20 milionë, nga 67 milionë banorët. Zhvilluesit kanë bërë të ditur se vaksina është treguar 95 për qind efikase në parandalimin e sëmundjes, gjatë testimeve të fazës finale.