Botë

Bllokada rreth Brexit-it: Johnson dhe Leyen intervenojnë për kapërcimin e ngërçit rreth ujdisë

Foto: Reuters

Kryeministri britanik, Boris Johnson, është zotuar të zhvillojë bisedime direkt me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Leyen, në përpjekje për ta kapërcyer ngërçin në bisedimet për marrëveshjen tregtare pas Brexitit.

Kjo iniciativë u ndërmor pasi negociatat mes Londrës dhe Brukselit pësuan rënie të re, në atë që mund të rezultojë me fundin kaotik të sagës rreth divorcit përfundimtar mes Britanisë dhe BE-së. Britania u largua zyrtarisht nga blloku evropian më 31 janar, por rregullat rreth çështjeve tregtare, të udhëtimit dhe bërjes biznes kanë mbetur të pandryshuara për periudhën transitore që përfundon më 31 dhjetor, transmeton KOHA.

Bisedimet mes Johnsonit dhe fon der Leyenit mund t’u japin shtysë përpjekjeve politike për përafrimin e qëndrimeve rreth ujdisë. Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë Brexiti mund të pësojë një përmbyllje të çrregullt. Negociatorët britanikë dhe ata evropianë i kanë pauzuar bisedimet të premten, duke i thirrur liderët të ndërhyjnë për kapërcimin e mospajtimeve.