“Macroni është një barrë mbi Francën. Macroni dhe Franca po kalojnë aktualisht nëpër një periudhë shumë të rrezikshme”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, duke iu referuar protestave nëpër qytetet franceze. “Shpresë e imja është që Franca ta heqë qafe telashin me Macronin, sa më parë që është e mundur”
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se shpreson që Franca do ta heqë qafe së shpejti presidentin, Emmanuel Macron, duke e përshkruar atë si një barrë për Francën që po kalon nëpër kohë të rrezikshme.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Francës, që të dyja anëtare në NATO, kanë qenë skajshmërisht të tensionuara gjatë muajve të fundit shkaku i dallimeve të theksueshme lidhur me Sirinë, si dhe për shkak të publikimit të karikaturave të Profetit Muhamed në Francë.
“Macroni është një barrë mbi Francën. Macroni dhe Franca po kalojnë aktualisht nëpër një periudhë shumë të rrezikshme”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, duke iu referuar protestave nëpër qytetet franceze. “Shpresë e imja është që Franca ta heqë qafe telashin me Macronin, sa më parë që është e mundur”, transmeton KOHA.
Ankaraja dhe Parisi kanë shkëmbyer akuza edhe rreth roleve të tyre në konfliktin e Nagorno-Karabakhut.
Franca kohëve të fundit është goditur nga protestat masive kundër dhunës së tepruar të forcave policore, ndërkaq ka ashpërsuar retorikën kundër grupeve të caktuara islamike.
Duke iu referuar akuzave ndaj Qeverisë për kthesë joliberale me miratimin e një pakoje të kontestuar për mbrojtjen e policëve dhe për shtypjen e grupeve islamike, Macroni ka thënë se vendimet nuk e bëjnë Francën vend autoritar.
“Ne nuk jemi Hungari, Turqi apo ndonjë vend i ngjashëm”, ka thënë ai. “Nuk mund të lejoj që të thuhet se po i tkurrim liritë e vendit tonë”.
Protestat e francezëve kanë përshkallëzuar, pas publikimit të videoxhirimeve në të cilat një burrë me ngjyrë shihet tek rrihet prej anës së tre policëve brenda studios së tij muzikore, gjatë fillimit të muajit.
Macron e kishte quajtur rastin të papranueshëm. Ndërkaq, ka thënë të premten se është ndier i lënë pas nga qeveritë dhe intelektualët perëndimorë, pasi mësuesi francez, Samuel Paty, ishte ekzekutuar me prerje koke nga një mysliman 18-vjeçar, shkaku se ai ua kishte treguar karikaturat e profetit mysliman Muhamed nxënësve në klasë. Pas përballjes me protesta masive në botën myslimane, shkaku i mbrojtjes së publikimit të karikaturave të profetit, Macron ka urdhëruar hetime ndaj dhjetëra xhamive të dyshuara për separatizëm.