Botë

Më shumë se gjysma e spanjollëve thonë se s’do ta marrin menjëherë vaksinën kundër COVID-19

Foto: Reuters

Më shumë se gjysma e spanjollëve nuk do të marrin vaksinën kundër COVID-19 menjëherë pasi ajo të jetë në dispozicion, ka treguar një sondazh, raporton Reuters.

Qeveria spanjolle ka bërë të ditur se deri në mesin e vitit 2021 synohen 15-20 milionë vaksinime, transmeton KOHA.

Tani disa lloje të vaksinave janë duke u zhvilluar, megjithatë sfida kryesore e qeverisë duket të jetë që t’i bindë qytetarët që të vaksinohen.

Në Spanjë, ku zakonisht shkalla e vaksinimit është e lartë, kjo do të jetë problematike, siç tregon sondazhi zyrtar nga Qendra për Studime Sociologjike (CIS).

Rreth 1/3 e popullsisë janë shprehur të gatshëm që ta marrin vaksinën ndaj COVID-19 menjëherë, derisa 55.2 për qind e tyre do të preferonin që të prisnin efektet në të tjerët, ka treguar sondazhi i mbajtur më 23-26 nëntor ku ishin të përfshirë 2,130 persona.

Prej 55.2 për qindëshit të këtyre personave që do të preferonin të prisnin, 60 për qind e tyre do ta ndërronin mendjen nëse rekomandohet nga mjeku që ta marrin vaksinën sepse janë të rrezikuar apo po e rrezikojnë ndonjë anëtar të familjes, ka treguar sondazhi.

Kurse vetëm 8.4 për qind e spanjollëve do të refuzonin të marrin çfarëdolloj vaksine.