Botë

Loja me shifrat e koronavirusit

Andrew Mertha, drejtor i Programit për Studime Kineze në Universitetin John Hopkins, ka thënë se zyrtarët kinezë mund të kenë qenë të motivuar për t’i ulur numrat me qëllim të maskimit të çështjes në qendrat lokale të përkujdesjes shëndetësore

William Schaffner, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin Vanderbilt, ka thënë se qasja kineze ishte konservatore dhe se të dhënat “do të prezantoheshin në një mënyrë më ndryshe sikur epidemiologët amerikanë të ishin aty për të asistuar”.

Ai ka thënë se zyrtarët kinezë “faktikisht donin që ta minimizonin ndikimin e epidemisë në atë kohë”. “Përfshirja e pacientëve të dyshuar qartazi do ta zgjeronte madhësinë e shpërthimit dhe do të ofronte, mendoj unë, një vlerësim më të vërtetë të natyrës së infektimit dhe përmasave të tij”.

Protokollet e diagnozës së koronavirusit, të publikuara nga Komisioni Kombëtar kinez i Shëndetësisë në fund të janarit, u thoshin mjekëve që ta cilësojnë një rast “si të dyshuar” po qe se pacienti kishte historik kontakti me rastet e njohura, si dhe simptoma të etheve dhe pneumonisë, si dhe ta vlerësojnë rastin si “klinikisht të diagnostikuar” në rast se këto simptoma konfirmohen me anë të rëntgenit. Një rast do të “konfirmohej” vetëm po qe se testet PCR rezultojnë pozitive.

Andrew Mertha, drejtor i Programit për Studime Kineze në Univesitetin John Hopkins, ka thënë se zyrtarët mund të kenë qenë të motivuar për t’i ulur numrat me qëllim të maskimit të çështjes në qendrat lokale të përkujdesjes shëndetësore. Sipas Merthas, dokumentet e zbuluara nga CNN-ja, të cilat ai i rishikoi dhe i konfirmoi si autentike, duket të jenë organizuar në atë mënyrë që t’ua lejojnë zyrtarëve të lartë mundësinë për ta paraqitur çfarëdo pasqyre që ata dëshirojnë.

Diskrepanca në rastet e vdekjes

Zyrtarët kinezë shumë shpejt e përmirësuan sistemin e raportimit, duke i vendosur rastet “klinikisht të diagnostikuara” tek kategoria e “të konfirmuarave” në mes të shkurtit. Zyrtarët më të lartë shëndetësorë dhe ata krahinorë në Hubei deri në atë kohë gjithashtu ishin shkarkuar nga postet e tyre, pasi që ata do të mbaheshin përfundimisht përgjegjës për raportimet. Për më tepër, testimet më të gjera dhe të përmirësuara do të nënkuptonin që rastet “e dyshuara” të qartësoheshin më shpejt dhe të përfshiheshin më pak në raportim. Veçmas kësaj, kriteret kineze të diagnostikimit janë kritikuar nga ekspertët shëndetësor për vendimin e tyre të vazhdueshëm dhe publik për të mos i numëruar rastet asimptomatike.

Shifra e vdekjeve, e listuar në dokumente shpërfaq diskrepancë edhe më të zymtë. Më 7 të marsit, bilanci i përgjithshëm i të vdekurve në Hubei që nga fillimi i shpërthimit ka qenë 2.986, por në një raport të brendshëm figurojnë 3.456 fatalitet, duke përfshirë në këtë mes 2.675 vdekjet e konfirmuara, 647 vdekjet “klinikisht të diagnostikuara” si dhe 126 vdekjet e “dyshuara”.

Dali Yang, i cili ka ndërmarrë studim të hollësishëm rreth origjinës së shpërthimit të pandemisë, ka thënë gjatë muajit shkurt se shifrat “kanë ende rëndësi shkaku i perceptimeve globale”.

“Ende shpresohet se ishte sikurse në vitin 2003 dhe si atëherë kur sëmundja SARS ishte frenuar përfundimisht, kur çdo gjë i kthehet përsëri normales”, ka shtuar Yang, i cili është profesor i shkencave politike në Universitetin e Chicagos. Ai me këtë rast ka aluduar në telefonatën e 7 shkurtit midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij kinez Xi Jinping. “Mendoj se është gjithashtu një përshtypje (dëshirore) që e fitoi Trumpi – se krejt kjo gjë do të zhduket”.

Dokumentet, sidoqoftë, nuk janë aspak të prera në këtë aspekt. Në dy rrethana, shifrat publike të vdekjeve kanë pasur mospërputhje njëshifrore. Në raste të tjera, të dhënat e ofruara shpalosin një informatë të re, por pa ndonjë kontekst vital. Ani pse Kina kurrë nuk e ka zbuluar numrin e përgjithshëm të rasteve me COVID-19 gjatë vitit 2019, një grafikon i paraqitur në njërin prej dokumenteve sugjeronte se ishte detektuar një shifër shumë më e lartë. Në fund të kolonës së majtë të grafikut, numri i “rasteve të konfirmuara” dhe “klinikisht të diagnostikuara” shfaqej bashkërisht në rreth 200. Dokumentet nuk elaborojnë shumë rreth kësaj.

Deri në atë kohë, indikacioni më i qartë se si janë detektuar rastet më 2019 janë 44 “rastet e pneumonisë si etiologjisë së panjohur” që autoritetet kineze i raportuan në OBSH rreth periudhës së pandemisë deri më 3 janar 2020.

Kohë e gjatë e pritjes për testime

Testimet ishin të pasakta që nga fillimi, thuhet në dokumente, dhe shpien drejt një sistemi raportimi me vonesa disajavore për diagnostikimin e rasteve të reja. Ekspertët kanë thënë se kjo do të thotë që shumica e shifrave ditore të raportuara nga Qeveria rrezikonin të ishin të pasakta apo të vjetruara.

Më 10 janar, një prej dokumenteve zbulon se si gjatë një auditimi të qendrave të testimit, zyrtarët kanë raportuar se mostrat e testimit për SARS-in që ishin përdorur për diagnostikimin e virusit të ri ishin krejtësisht joefikase, duke dhënë rregullisht rezultate të rreme negative. Aty lihej të kuptohet gjithashtu se nivelet jo të kënaqshme të pajisjeve të mbrojtës nënkuptonin se mostrat e virusit duhet të bëheshin joaktive para testimit.

Shkalla e lartë e testeve të rreme negative e shpërfaqi faktin se sërë probleme në do të kërkonin me javë kohë për përmirësim.

Sipas raporteve në mediat shtetërore kineze të fillimshkurtit, ekspertët shëndetësorë në Hubei kishin shfaqur shqetësim rreth saktësisë së testeve të acidit nukleik. Këto teste e detektojnë kodin gjenetik të virusit dhe mendohej të ishin me efikase në detektimin e infeksionit, sidomos në fazën e hershme.

Sidoqoftë, testimet e kryera në atë kohë rezultuan me një shkallë prej vetëm 30 deri në 50 për qind të vlerës pozitive, mes rasteve veçse të konfirmuara, kishin pretenduar zyrtarët e cituar nga mediat shtetërore. Me qëllim të shmangies së rezultateve “të rreme negative”, zyrtarët shëndetësorë filluan t’i testojnë vazhdimisht rastet e dyshuara. Deri në fillim të shkurtit, laboratorët në Hubei kishin kapacitete për të testuar më shumë se 10.000 persona në ditë. Për t’u ballafaquar me numrin e lartë, zyrtarët vendosën që të fillojnë me përfshirjen edhe të metodave të tjera klinike të diagnostikimit, siç janë skanimet CT. Kjo çoi në krijimin e një kategorie, së cilës në mënyrë interne i referohej si “rastet klinikisht të diagnostikuara”.

(Vijon)

Pjesa I