Botë

BE-ja synon sanksionimin e aktorëve shtetërorë për përhapje të dezinformatave

Descriptive Text

Komisioni Evropian do të propozojë për herë të parë që Bashkimi Evropian të vendosë sanksione ndaj aktorëve shtetërorë që përhapin dezinformata, teksa shtyn përpara një mekanizëm më të ashpër të mbikëqyrjes për platformat online, bazuar në një draft-dokument të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Plani Evropian i Veprimit për Demokraci, të cilin Komisioni Evropian do ta prezantojë më 2 dhjetor, ka thënë se bllokut evropian “i duhet të përdorë në mënyrë më sistematike, mjetet që ka për luftim të ndërhyrjes së jashtme dhe t’i zhvillojë ato më tej, duke vendosur çmim ndaj organizatorëve”.

“Mënyrat e mundshme për ta bërë një gjë të tillë dallojnë nga identifikimi i teknikave të përdorura bashkërisht, e deri te vendosja e sanksioneve ndaj veprimeve të përsëritura”, është thënë në dokument.

Kjo është hera e parë që Komsioni Evropian ka sugjeruar vendosjen e sanksioneve për përhapje të dezinformimit.

Duke paralajmëruar se informacioni mund të përdoret si armë nga aktorë të huaj, dokumenti thekson se “disa shtete të treta (në veçanti Rusia dhe Kina) janë përfshirë në operacione të shënjestruara dhe fushata të dezinformimit për koronavirus në BE, në vendet fqinje dhe në nivel global, duke tentuar të dëmtojnë debatin demokratik dhe të përmirësojnë imazhin e tyre”.

Dokumenti po ashtu sugjeron rregulla më të ashpra të BE-së në platformat online “të cilat mund të përdoren nga operatorë me qëllim të keq për shpërndarjen e përmbajtjes së rreme apo mashtruese dhe të cilat janë kritikuar për mungesë të transparencës në përdorimin e alegoritimave për shpërndarje të përmbajtjes online”./ rel