Washington, 25 nëntor (Reuters) – Mbrojtësit e kauzës për kontrollimin e armëve kanë nxitur presidentin e zgjedhur Joe Biden që ta zgjasë afatin e ujdisë së fundit SHBA-Rusi për kufizimin e numrit të armëve strategjike bërthamore edhe pesë vjet të tjerë, ndonëse disa ekspertë kanë argumentuar se demokrati do të duhej ta bënte një gjë të tillë për afat më të shkurtër, ashtu që t’i mbante në duart e tij frerët me Moskën.
Menjëherë pas ardhjes në detyrë më 20 janar, Bideni do të ballafaqohet me vendimin urgjent nëse do ta zgjasë apo jo afatin e paktit “New START” të 2010-s, i cili do të skadojë vetëm 16 ditë më vonë, duke i lënë Washingtonin dhe Moskën të lira për të vendosur numër të pakufizuar të kokave strategjike dhe raketave bërthamore, si dhe nëndetëseve e bombarduesve për përdorim.
“Po aq sa nevojitet një veprim dramatik për luftimin e ndryshimeve klimatike dhe pandemisë COVID-19, prej udhëheqjes së mençur dhe të vendosur amerikane kërkohet që ta reduktojë kërcënimin nga një katastrofë bërthamore”, thuhet në letrën e dhjetëra grupeve të kontrollimit të armëve, mjedisit dhe përfaqësuesve të tjerë adresuar ekipit të Bidenit.
Ekspertë të shumtë druajnë se shfuqizimi i “New START” mund ta nxisë një garë të armëve bërthamore dhe t’i intensifikojë tensionet SHBA-Rusi, që veçse ndodhen në pikën më të acaruar që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë më 19919, si pasojë e aneksimit rus të Krimesë, pretendimeve për ndërhyrjen e refuzuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-s dhe përplasjeve rreth kontrollimit të armëve.
Shfuqizimi i marrëveshjes do t’u jepte fund edhe inspektimeve që dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës kishin ndërmarrë në lokacionet e njëra-tjetrës. Një gjë e tillë do t’i shkëpuste linjat kritike të sigurimit të të dhënave për konstatimin e mashtrimeve dhe për rishikimin e arsenaleve të njërit dhe tjetrit shtet.
Ekipi transitor i Bidenit ka refuzuar t’u përgjigjet kërkesave për komentimin e kësaj letre, ndër nënshkruesit e të cilit përfshihen Asociacioni për Kontrollimin e Armëve, “Sierra Club”-i, Këshilli për një Botë të Jetueshme dhe Kisha e Bashkuar Metodiste.
Afati i “New START”, ujdi kjo që hyri në fuqi më 2011, mund të zgjatet me pajtimin e dy palëve për edhe pesë vjet të tjerë. Mbrojtës të kauzës së kontrollimit të armëve i kanë bërë thirrje Bidenit që të pajtohet urgjentisht për zgjatjen e pakushtëzuar pesëvjeçare.
Bideni e mbështet zgjatjen e afatit si një “gurthemel për aranzhimet e reja të kontrollimit të armëve”, por asnjëherë nuk ka thënë se për sa kohë. Duke folur nën kushtin e anonimitetit, burime të afërta me ekipin e tij transitor kanë thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim lidhur me afatin që Bideni do ta kërkojë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar kaherë zgjatjen e pakushtëzuar pesëvjeçare të ujdisë.
“Zgjatja e afatit të ‘New START’ për pesë vjet e siguron kohën e nevojshme për negociatat e ndërlidhura rreth një ujdie pasuese”, ka thënë Daryl Kimball, drejtor ekzekutiv i Asociacionit për Kontrollimin e Armëve, i cili e koordinoi letrën.
Ndërkaq, Victoria Nuland, ish-diplomatja kryesore e Departamentit të Shtetit për Evropë, ka shkruar gjatë kësaj vere në “Foreign Affairs” se Washingtoni do të kërkojë zgjatje të përkohshme për jo më shumë se dy vjet.
“Njëri prej mësimeve që Putini duket ta ketë nxjerrë nga Lufta e Ftohtë është se presidenti amerikan, Ronald Reagan, e falimentoi suksesshëm Bashkimin Sovjetik, duke e nxitur një garë armësh bërthamore. Duke mos dashur që Rusia ta pësojë të njëjtin fat, ai është më se i interesuar për ta zgjatur ‘New START’-in”, ka shkruar ajo.