Berlin, 25 nëntor (Reuters) – Shoferi që e përplasi veturën e tij në portat e Zyrës kryesore të kancelares gjermane, Angela Merkel, ka qenë i njohur për autoritetet lidhur me një incident të ngjashëm në vitin 2014, ka njoftuar një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Gjermani.
Vetura e mbuluar me slogane të shkruara me bojë të bardhë është përplasur në portat e Kancelarisë në Berlin, në rastin për të cilin policia ka njoftuar se nuk i ka të ditura motivet.
Me dhjetëra policë nxituan menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi që vetura me sloganet “Fund Politikave të Globalizimit” dhe “Vrasësit e mallkuar të fëmijëve dhe të moshuarve”, u përplas në portën kryesore.
Policia ka konfirmuar se lidhur me rastin është duke e mbajtur në arrest një 54-vjeçar, i cili më pas është marrë në pyetje.
“Nuk e dimë ende nëse ishin shkaqet psikologjike apo të natyrës tjetër ato që e motivuan shoferin”, ka thënë zëdhënësi i policisë.
E përditshmja e Berlinit “BZ” ka raportuar se e njëjta veturë, e cila kishte targa të qytetit veriperëndimor Lippe, ishte përplasur në portat e Kancelarisë edhe në vitin 2014. Asokohe, mesazhet “Jepuni fund ndryshimeve klimatike që po vrasin njerëz” dhe “Nicole, të dua”, ishin spërkatur në të dyja anët e saj, ka shkruar “BZ”.
Nuk dihet qartë nëse kancelarja Merkel ka qenë brenda në zyrë kur shoferi e mori në shënjestër godinën e bardhë postmoderne të vendosur përreth ndërtesës së Reichstagut, ku ndodhet Parlamenti gjerman si dhe disa rrugë kryesore. Si rrethojat e Kancelarisë, ashtu edhe vetura nuk janë dëmtuar rëndë nga rasti.
“Kancelarja, pjesëtarët e Qeverisë dhe personat e tjerë të Kancelarisë nuk ishin në rrezik gjatë asaj kohe”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Steffen Seibert, duke shtuar se incidenti kishte shkaktuar vetëm dëme të vogla.
Berlini ka qenë epiqendër e aktivistëve majtistë antiglobalizim, të cilët janë zotuar t’u japin fund projekteve zhvillimore të kompanive të mëdha globale.
Merkeli ishte parashikuar që të mbante një video-konferencë me kryeministrat e shteteve gjermane gjatë së mërkurës, për të diskutuar lidhur me zgjatjen e izolimit shkaku i koronavirusit, si dhe hapave të mëtutjeshëm për luftimin e pandemisë.
Evropa është vënë në gjendje alarmi, pasi militantë të dyshuar islamikë kanë vrarë tetë persona në Paris, Nice dhe Vjenë gjatë javëve të fundit. Të martën, Policia zvicerane ka identifikuar një grua zvicerane që ka sulmuar me thikë një grua dhe ka mbërthyer një tjetër brenda një qendre tregtare në Lugano. Autoritetet kanë bërë të ditur se sulmuesja ka qenë e njohur si xhihadiste.
Katër vjet më parë, një azilkërkues i refuzuar tunizian me lidhje islamike, kishte rrëmbyer një kamion dhe më pas e kishte drejtuar atë kah turma e qytetarëve në një treg të Krishtlindjes në Berlin, duke lënë të vdekur 11 dhe të lënduar me dhjetëra persona.