Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka kërkuar nga italianët të mos skijojnë gjatë pushimeve të Krishtlindjeve për të ndihmuar të ulet kurba e koronavirusit në valën e dytë të pandemisë, që deri tash ka marrë jetën e më shumë se 50 mijë personave.
Resoret e skijimit fitojnë rreth 11 miliardë euro në vit, me një të tretën e të hyrave që vijnë në ditët kur italianët i kalojnë në Krishtlindje dhe për Vit të Ri.
Por Conte thotë se sivjet s’do të jetë e mundshme “të lejohen pushimet në borë”.
“S’mund ta përballojmë këtë”, ka thënë ai, raporton “The Guardian”.
Italia ka regjistruar 630 vdekje të hënën si pasojë e COVID-19. Ky është vendi i gjashtë në botë që kalon shifrën e më shumë se 50 mijë vdekjeve.
Shumë rajone në Itali janë nën izolim të pjesshëm për të parandaluar rritjen e rasteve të reja.
Shumica e resorteve kanë vendosur protokoll anti-COVID duke caktuar limite në numrin e pasagjerëve në ski-lifte apo sa njerëz mund të skijojnë në ditë në hapësira të caktuara.
“Protokolli është një gjë, por gjithçka tjetër që sillet rreth pushimeve në borë është e pakontrollueshme”, ka thënë Conte në një intervistë për “La7”.