Botë

Ndryshimi i politikave amerikane të imigracionit

Ndryshimi i politikave amerikane të imigracionit
 

Administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur Joe Biden mund të ndryshojë me shpejtësi një varg politikash të emigracionit të presidentit Donald Trump, shumë prej të cilave mbeten ndër iniciativat më të debatueshme të administratës së tij.

Bideni mund të shfuqizojë shumë udhëzime duke përdorur të njëjtin mekanizëm që presidenti Trump përdori për t'i zbatuar ato - urdhrat ekzekutivë. Megjithatë, vendime të tjera do të kërkojnë më shumë se kaq, thonë ekspertët. Në katër vitet e fundit, presidenti Trump ishte autori i më shumë se 400 akteve rregullatore që i ndërmori përmes autoritetit të tij ekzekutiv.

Michele Waslin, koordinatore e programit në Institutin për Kërkime të Imigracionit në Universitetin George Mason, i tha Zërit të Amerikës se lista përfshin kufizime të gjera të udhëtimit, ndryshimin e përparësive për imigracionin, ndryshimin e rregullave të azilit, një deklaratë emergjente për ndërtimin e murit të kufirit dhe pakësimin e numrit të pranimit të refugjatëve.