Botë

Terroristi i Vjenës vrau me armën e prodhimit serb “Zastava M70”

Terroristi i Vjenës vrau me armën e prodhimit serb “Zastava M70”
 

Atentatori i Vjenës vrau me një armë nga Serbia, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Armët serbe janë të pëlqyera nga terroristët islamistë. “Zastava M70” është përdorur nga fanatikët fetarë edhe gjatë sulmeve në Francë në vitin 2015.

Sipas gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” atentatori i Vjenës Kujtim F. ishte i pajisur me një “kallashnikov ballkanik” kur kreu sulmin. Ai vrau me “një Zastava M70 nga Serbia”, nënvizon gazeta e Münchenit. Gjatë verës Kujtim F., bashkë me disa persona të tjerë, shkoi në Sllovaki për të blerë municion për këtë armë. Atje nuk i dhanë municion sepse nuk kishte leje për armëmbajtje.

Policia sllovake alarmoi kolegët austriakë. Por austriakët në vend se të veprojnë, vazhduan gjumin, ndonëse e dinin se Kujtim F. ishte i dënuar më herët dhe ishte i rrezikshëm si fanatik pseudofetar. Prokuroria e Vjenës u njoftua se Kujtim F. kishte dashur të blejë municion në Sllovaki tek atë natë kur ai kishte filluar sulmin në Vjenë. Ministri i Brendshëm austriak pranoi se ka pasur “gabime komunikimi” me palën sllovake, në të vërtetë formulimi i saktë do të ishte: autoritetet austriake në këtë rast kanë dështuar nga A deri në ZH. Ministri Karl Nehammer tha po ashtu se shërbimi sekret sllovak ka njoftuar shërbimin sekret austriak, por pastaj “diçka kishte dështuar”.