Botë

Si zgjidhet një president amerikan

Presidenti amerikan ka gjithmonë rëndësi të madhe për jetët e njerëzve, si në vend ashtu edhe gjetkë, andaj rezultati i votimeve të sotme do të çojë peshë për çdokënd.

Sistemi politik i SHBA-së ka të veçantat e saja për sa i përket përzgjedhjes së shefit të Shtëpisë së Bardhë. Kjo ngase në rend të parë, ai nuk zgjidhet direkt nga votuesit, por nga ai që njihet si kolegji elektoral.

Kur amerikanët dalin para kutive të votimit për zgjedhje presidenciale, ata votojnë për një grup zyrtarësh që përbëjnë kolegjin elektoral.

Fjala “kolegj” i referohet një grupi njerëzish me një detyrë të përbashkët. Ata janë elektorët dhe puna e tyre është që të vendosin për presidentin dhe zëvendëspresidentin.

Kolegji elektoral takohet çdo katër vjet, pak javë para ditës së zgjedhjeve.

Numri i të zgjedhurve nga secili shtet përkon pjesërisht me madhësinë e popullatës së tij. Në total, janë 538 elektorë.

Një elektor përfaqëson një votë elektorale dhe që një kandidat të shpallet fitues, atij i nevojitet shumica e votave elektorale, apo 270 sosh.

Shteti i Kalifornias ka më së shumti elektorë – gjithsej 55 - ndërkaq shtetet si Uajoming, Alaska dhe Dakoda Veriore, kanë minimum tre elektorë.

Tradicionalisht, shtetet ua ndajnë krejt votat e kolegjit elektoral kujtdo që fiton votat e qytetarëve në shtet. Për shembull, nëse një kandidat fiton 50.1 përqindëshin e votave në Teksas, ai shpërblehet me të gjitha 38 votat elektorale të këtij shteti.

Kjo e bën të mundur që një kandidat të bëhet president, duke fituar numrat në garat e ngushta në shtete të caktuara, ani pse ka më pak vota në të gjithë shtetin.

Është po ashtu e mundur që një kandidat të jetë më i votuar mes amerikanëve, por të mos fitojë mjaftueshëm shtete për t’i siguruar 270 votat elektorale.

I këtillë ka qenë rasti më 2016, kur kandidati i atëhershëm republikan, Donald Trump, kishte gati tre milionë vota më pak se rivalja demokrate, Hillary Clinton, por e fitoi presidencën ngase kolegji elektoral ia dha shumicën.

Ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2000, kur George W. Bushi i fitoi 271 vota elektorale ani pse kandidati demokrat, Al Gore, siguroi mbi gjysmë milionë vota të amerikanëve më shumë.

Para tyre, vetëm edhe tre presidentë të tjerë janë zgjedhur pa e fituar shumicën në votën popullore - John Quincy Adamsi, Rutherford B Hayesi dhe Benjamin Harrisoni.

Krejt kjo buron nga fakti se kur Kushtetuta amerikane ishte përpiluar më 1787, vota kombëtare popullore për zgjedhjen e një presidenti ishte praktikisht e pamundur. Kjo shkaku i madhësisë së vendit dhe vështirësisë në komunikim.

Për këtë arsye, hartuesit e Kushtetutës e krijuan kolegjin elektoral, me elektorët e zgjedhur në secilin shtet.

Por çfarë ndodh në rast se asnjëri kandidat nuk arrin që ta sigurojë shumicën në ditën e zgjedhjeve?

Në këtë rast, është Dhoma e Përfaqësuesve ajo që do të votojë për zgjedhjen e presidentit.

Kjo gjë, ndërkaq, ka ndodhur vetëm një herë, kur më 1824, katër kandidatë e ndanë votën elektorale, duke ia mohuar shumicën njëri-tjetrit.

Meqë tani sistemi amerikan dominohet vetëm nga dy parti, një gjë e tillë sot nuk pritet që të ndodhë.