Botë

Pas Trumpit – trumpizmi!

Kush mund ta marrë drejtimin e Partisë Republikane nëse humb Donald Trump? Tani për tani qarkullojnë dy emra.

Revista gjermane DER SPIEGEL ka botuar në numrin më të ri një tekst të gjatë për zgjedhjet në Amerikë. Një storje tipike e DER SPIEGEL (në kuptimin pozitiv): analizë, reportazh, citate njohësish të mirë të Amerikës. Teksti merret, para së gjithash, me çështjen se çka do të bëjë vaki me Amerikën në të ardhmen, transmeton KOHA. Fitoi apo humbi Trumpi – trumpizmi, ideologjia e tij boshe dhe polarizuese do të mbijetojë. Disa detaje nga teksti që mund të jenë të dobishme edhe për publikun shqiptar:

► Donald Trump Jr (ky është i biri i Trumpit dhe ai tipi që në Twitter bëri thirrje për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova) gjatë një tubimi në Pennsylvania është optimist se Trump do të fitojë. Sipas Donald Trump Jr, Joe Biden është i korruptuar (paguhet nga kinezët), i biri i Bidenit është po ashtu i korruptuar. Fakte? Asnjë. Rrena – plot. Megjithatë, Donald Trump Jr thotë: “Sikur ta kisha bërë unë këtë, nuk do të isha këtu me ju, por do të telefonoja nga burgu dhe gjatë dushit do të duhej të kisha kujdes të mos më bie sapuni në tokë”.

Image

► Dukshëm më shumë se 30 për qind e zgjedhësve amerikanë do të përkrahin Trumpin. Përkundër 220 mijë të vdekurve nga korona, përkundër skandaleve të Trumpit, përkundër se në vitin e parë të presidencës Trump ka paguar vetëm 750 dollarë tatime.

► Trumpi ka fituar falë dy mediumeve të fuqishme: Facebook (sipas DER SPIEGEL: një makinë e urrejtjes). Pa Facebook rusët nuk do të kishin arritur të ndërhyjnë kaq thellë në zgjedhjet amerikane. Dhe Fox News: një kanal televiziv që në mënyrë permanente paralajmëron apokalipsin dhe mbështet Trumpin. DER SPIEGEL parashikon se nëse Trump humb, ai mund të themelojë një televizion, përmes të cilit do të vazhdojë propagandën e tij.

► Sipas DER SPIEGEL do të kalojnë disa vite derisa të sanohet dëmi që Trump ka shkaktuar në aparatin qeveritar. Një ndër ministritë më të goditura është Departamenti i Shtetit, dikur krenaria e qeverisë amerikane. Poste të rëndësishme kanë mbetur bosh, diplomatë të zgjuar kanë ikur meqë s’dëshironin të punonin nën vasalin besnik të Trumpit, Mike Pompeo.

► Përçarja e shoqërisë amerikane shihet në këto shifra: 69 për qind e demokratëve thonë se mund t’u besohet mediave klasike, ndërsa vetëm 15 për qind e republikanëve besojnë në diçka të tillë. Trump me vite të tëra pretendon se mediat si New York Times, CNN etj. janë agjentura të komunizmit.

► Një e treta e amerikanëve (sipas një ankete) konsiderojnë se në 5 vitet e ardhshme mund të shpërthejë një luftë civile. Dyqanet për shitjen e armëve po shesin armë si kurrë më parë. Përkrahës militantë të Trumpit thonë hapur se do ta mbrojnë Amerikën nga “socializmi i Joe Bidenit”. Dhe Trump nuk distancohet nga këta militantë, përkundrazi – atyre u thotë: “Qëndroni gati”.

► Nën Donald Trumpin nepotizmi është etabluar. Vajza dhe dhëndri i tij janë bërë këshilltarë specialë në Shtëpinë e Bardhë. Avokati i Trumpit, Rudi Giuliani është dërguar të ecën nëpër botë për t’u bërë presion politikanëve për interesa të ngushta të Trumpit.

► Trump e ka kapur pothuaj tërësisht Partinë Republikane (një parti dikur krenare). Establishmenti i partisë është dorëzuar. Shumica heshtin për arsye oportuniste: për aq kohë sa Trump siguron pushtetin, vlen parulla: mbylli sytë dhe hesht! Të rrallë janë ata që flasin. Për shembull senatori Ben Sasse nga Nebraska. Para disa ditësh ai foli hapur kundër Trumpit. Presidenti, sipas Sasse, po hedh para nga dritarja “si të ishte marinar i dehur”. Është e pafalshme, vazhdoi Sasse, që Trumpi “po ua puth bythën” diktatorëve në mbarë botën.

► Kush mund të jetë trashëgimtar i trumpizmit në Partinë Republikane? DER SPIEGEL thekson se mund të jetë i biri i Trumpit, Donald Trump Jr. Sidomos nëse Trump fiton edhe njëherë. Nëse nuk fiton, atëherë njerëzit do të kërkojnë një alternativë tjetër, sepse familjes Trump do t’i ngjitet etiketa e humbëses. Një figurë e ardhshme udhëheqëse e republikanëve mund të jetë Nikki Haley, e cila e filloi karrierën si guvernatore e South Carolina dhe pastaj shërbeu dy vjet si ambasadore e Trumpit në OKB. Haley u largua pa zhurmë nga posti, nuk e atakoi direkt Trumpin, madje ka bërë thirrje për rizgjedhjen e tij. Deri më tani Haley ka ditur ta fsheh mirë aversionin e saj kundër Trumpit. Ajo dëshiron të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si presidente më 20 janar 2025.