Mediat raportojnë se mitropoliti malazias-bregdetar, Amfilohije ka vdekur në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Ai ishte diagnostikuar me koronavirus më 6 tetor.
Pas vendosjes në spital, gjendja e tij shëndetësore kishte nisur të përmirësohej dhe më 20 tetor rezultatet e testimit kishin treguar se ishte negativ ndaj koronavirusit. Por dje gjendja e tij ishte përkeqësuar, ndërsa sot ai kishte vdekur.
I lindur më 1938, ai kreu shkolla fetare dhe studioi edhe filozofinë në Beograd. Ushtroi detyra fetare. Gjatë viteve të luftës u shqua për fjalorin e tij nacionalist dhe shovinist. Posaçërisht u shqua gjatë fërkimeve se e kujt ishte kisha në Mal të Zi, e malazezëve apo e serbëve, gjithnjë në mbrojtje të përkatësisë serbe, rikujton Koha.net.
Në maj të vitit 2010 ishte emëruar administrator i Eparkisë Rashk-Prizren, por në dhjetor në vend të tij peshkop i Rashkë-Prizrenit u zgjodh Teodosije i Lipjanit.
Amfilohije për nga rangu ndër peshkopët në hierarkinë e Kishës Ortodokse Serbe ishte i dyti, menjëherë pas patriarkut serb.
Në një video, që sipas përmbajtjes së këngës e këndon grupi të cilit i prin kleriku Amfilohije, i takon periudhës pas dëbimit të forcave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, dëgjohen fjalët “... që ushtria serbe të kthehet në Kosovë”, një refren që, tashmë i ndjeri, mitropoliti serb Amfilohije e ka përsëritur deri në frymën e fundit dhe me atë merak e lutje të parealizuar ka “aterruar” në botën e amshimit...