Wuhan, Kinë, tetor (DER Spiegel) – Kuptova vetëm fare pak kohë më parë se sa i privilegjuar isha. Krejt kjo kur e realizova një bisedë telefonike nga Pekini me një mik në Berlin.
Folëm se çfarë planifikonim të bënim për Vitin e Ri, kohë të cilën shpresoja ta kaloja në Evropë. Sugjerova skijimin. Shoku më tha se ishte ide e mirë, por zor se mund ta merrte me mend që Austria do të ketë resorë skijimi pa COVID-19 deri në atë kohë.
U shtanga, ngase mendimi as që më ishte sjellë nëpër kokë. Në atë moment e kuptova se sa kohë e gjatë kishte kaluar qëkur as kam menduar për rrezikun e infektimit. Privilegj i imi (as të mos e përmendi faktin se mund madje ta kem luksin e skijimit për pushime) është se jetoj në një vend ku pandemia – për një të ardhme të parashikueshme – pak a shumë është çrrënjosur.
Unë jetoj në Kinë.
Teksa Evropa është në zgripin e valës së dytë dhe qeveritë po i ashpërsojnë rregullat për qytetarët shkaku i virusit, jeta normale kryesisht ka vazhduar në Kinë. Ka ende disa kufizime, padyshim, si izolimin nga bota e jashtme. Por përbrenda vendit, masat janë aq të integruara në jetën e përditshme saqë zor që vërehen më. Dhe gjasat për prekjen nga virusi janë pothuajse aq të mëdha sa të fitohet një lotari e majme.
Ky sukses është produkt i sistemit autoritar të Kinës dhe ka ardhur bashkë me një çmim të lartë.