Botë

Rusia i jep Edward Snowdenit leje të përhershme qëndrimi

Descriptive Text

Rusia i ka garantuar ish-punonjësit të Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, qëndrim të përhershëm në territorin e saj.

Lajmi është konfirmuar të enjten nga avokati i Snowdenit, Anatoly Kucherena.

Ish-punonjësi i NSA-së, jeton në Rusi prej vitit 2013. Ai u shpërngul atje në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes penale nga Shtetet e Bashkuara pas publikimit të të dhënave sekrete mbi programet e mbikëqyrjes së qeverisë.

“Sot, Snowdenit i është dhënë leja e qëndrimit me një afat kohor të pacaktuar”, tha avokati i tij rus Kucherena për agjencinë mediatike shtetërore TASS, transmeton euronews.al.

Kucherena tha se aplikimi është dorëzuar në prill, por përgjigja është vonuar për shkak të kufizimeve prej pandemisë COVID-19.

Avokati i tij gjithashtu deklaroi se për momentin Snowden nuk e konsideron të arsyeshme të aplikojë për nënshtetësi ruse.

Snowden po qëndron larg zhurmës së medias, por disa herë ai ka kritikuar politikat ruse mbi rrjetet sociale. Ai tha vitin e shkuar se është i gatshëm të kthehet në SHBA nëse i garantohet një proces i rregullt gjyqësor.