Botë

Serbia do ta rishikojë numrin e të vdekurve nga COVID-19 pas kritikave nga kryeepidemiologu

Serbia do ta rishikojë të dhënat që nga fillimi i pandemisë për të kontrolluar numrin e të vdekurve nga COVID-19 dhe përmirësuar çdo parregullsi, pasi kryeepidemiologu ka vënë në pyetje shifrat.

“Ne do të bëjmë auditim në mënyrën më të ndershme të mundshme. Unë besoj në ekspertizën e njerëzve tanë. Ne kurrë nuk kemi fshehur ndonjë gjë, e kemi bërë në mënyrë transparente çdo gjë”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për gazetarët, raporton agjencia Reuters.

Serbia ka regjistruar rastet e para me koronavirusin e ri në fillim të marsit. Sipas të dhënave zyrtare, 33.551 persona janë infektuar dhe 749 kanë vdekur si pasojë e COVID-19.

Predrag Kon, anëtar i task-forcës së Qeverisë së Serbisë për të luftuar pandeminë, ka thënë të martën se shifra e të vdekurve në kryeqendër Beograd është trefishtë më e madhe sesa që është paraqitur në shifra.

Serbia ka pasur një rritje të infeksionit para zgjedhjeve të përgjithshme në qershor dhe po ashtu në korrik, pasi kishte zbutur kufizimet të vendosura në mesin e marsit.

Shifrat e të infektuarve kanë rënë dukshëm që nga gushti.