19:24

Zviceranët kundërshtojnë largimin nga lëvizja e lirë

Votuesit zviceranë bindshëm kanë refuzuar të dielën tentimin e partisë së krahut të djathtë për të larguar marrëveshjen që lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga Bashkimi Evropian, duke u përcaktuar për stabilitet pas paqartësisë ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Partia Popullore Zvicerane (SVP) kishte shtyrë referendum në lidhje me marrëveshjen me BE-në, në tentim për të ndaluar imigracionin në një shtet ku të huajt përbëjnë çerekun e popullatës.

Por 62 për qind e qytetarëve votuan kundër propozimit të SVP-së dhe 38 për.

“Rruga bilaterale është e duhura për Zvicrën dhe BE-në. Populli zviceran e ka konfirmuar këtë rrugë sërish sot”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter.

“Sot është një ditë e madhe për marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Zvicrës. Populli zviceran ka folur dhe ka dërguar mesazh të qartë: së bashku kemi një të ardhme të madhe para nesh”, ka shkruar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

08:45

Zvicra sot vendos nëse do t’i jepet fund lëvizjes së lirë të njerëzve me BE-në

Votuesit zviceranë përmes një referendumi të dielën do të vendosin nëse duhet anuluar paktin me Bashkimin Evropian rreth lëvizjes së lirë të njerëzve, një test ky i rëndësishëm i qëndrimit zviceran karshi të huajve, që përbëjnë çerekun e popullsisë.

Partia Popullore zvicerane (SVP), parti kjo e krahut të djathtë – më e madhja në parlament – është vënë në krye të përpjekjeve për ta marrë kontrollin mbi imigrimin, duke përsëritur disa prej argumenteve të përdorura nga politikanët pro-Brexitit, në prag të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, një sondazh i kryer nga gfs.bern ka gjetur se 63 për qind e respondentëve e kundërshtojnë propozimin e SVP-së dhe 35 për qind e mbështesin, gjë që tregon se votuesit duan stabilitet në një periudhë paqartësie ekonomike, gjatë pandemisë së koronavirusit, raporton BBC, transmeton KOHA.

Po qe se ky referendum dështon, atëherë qeveria e Zvicrës mund të fokusohet tek çështja më e rëndësishme e saja kur është në pyetje politika e jashtme: Traktati i stagnuar mund t’i konsolidojë lidhjet me BE-në, për të cilën kritikët megjithatë thonë se cenon në masë të madhe sovranitetin zviceran.