Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni kanë nënshkruar marrëveshjet për normalizim të plotë të marrëdhënieve diplomatike.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrat e jashtëm të Emirateve dhe Bahrejnit nënshkruan kopjet e marrëveshjeve. Po ashtu, ato janë nënshkruar edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, si ndërmjetës i marrëveshjeve. Marrëveshjet janë quajtur "Akordet Abraham".
Shtëpia e Bardhë ende s’ka publikuar tekstin e marrëveshjeve, por ajo pritet të ndodhë më vonë gjatë ditës.
Me këto marrëveshje është rritur në katër numri i shteteve arabe që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, që kur Izraeli nënshkroi marrëveshje paqe me Egjiptin në vitin 1979 dhe Jordaninë në vitin 1994.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se së paku edhe pesë apo gjashtë shtete tjera pritet së shpejti të arrijnë marrëveshje me Izraelin. Mirëpo ai nuk ka përmendur asnjë nga emrat. Trump ka thënë se në një moment të duhur do të bashkohet në marrëveshje edhe Arabia Saudite.
Ai i ka quajtur historike këto marrëveshje.
“Është hap i madh me të cilin njerëzit e gjithë besimeve e prejardhjeve do të jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet”, ka thënë Trump. "Ne jemi këtu sot për të ndryshuar drejtimin e historisë. Pas dekadash ndarjesh dhe konfliktesh, ne po shënojmë agimin e një Lindjeje të Mesme të re".
Ai ka shtuar se tri shtetet e Lindjes së Mesme do të punojnë së bashku dhe se janë mike.
Në Bahrejn ka pasur protesta në lidhje me këtë marrëveshje. Ndërkohë sirenat e paralajmërimit për raketë nga Gaza janë dëgjuar në jug të Izraelit të martën. Televizioni shtetëror izraelit “12 TV” ka thënë se dy persona janë lënduar nga pjesë të raketës në një qendër tregtare në Ashdod, raporton agjencia Reuters.