Botë

Gjukanoviq: Mbrëmë pamë jotolerancë, agresion dhe primitivizëm

Descriptive Text

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, thotë se ajo që ndodhi mbrëmë në festën e partive opozitare, ka të bëjë me jotolerancë, agresion dhe primitivizëm.

Lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, që udhëhoqi me Malin e Zi për 30 vjet, herë si president e herë si kryeministër, ka thënë se incidentet nuk e kanë befasuar askë.

“Arsye për festë ka ende, por kjo nënkupton marrëdhënie civilizuese në raport me të tjerët për të ruajtur stabilitetin e Malit të Zi. Ne mbrëmë pamë shfaqje të jotolerancës, agresionit dhe primitivizmit. Jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon po konfrontohen dy projekte për të ardhmen: një atë që e personifikon pushtetin e deritashëm, i cili e sheh Malin e Zi në Evropë dhe tjetri, krejt i kundërt dhe që ngjan me nacionalizimin e viteve të 90-ta, por që në një rrethanë tjetër është zgjuar dhe po pret të kthejë rrotën e historisë prapa”, ka thënë Gjukanoviq, përcjell CDM të martën.

Të hënën mbrëma u shënuan disa incidente në festën e partive opozitare në Mal të Zi. U sulmuan shumë vendbanime të myslimanëve, në Tuz u provokuan shqiptarët me flamur të Serbisë, u shfaqen simbole nacionaliste serbe, u kënduan këngë serbe për Kosovën dhe ndër të tjera, pati edhe gjuajtje me armë.

Partia e Gjukanoviqit bashkë me aleatët ka siguruar 38 mandate, derisa opozita e udhëhequr nga partia proserbe (SDP), tashmë ka shpallur fitoren, duke thënë se ka siguruar 41 mandate, të mjaftueshme për të krijuar qeveri të re.