Botë

Covid-19 në Evropë, nga Franca te Kroacia vazhdon rritja e rasteve të reja

Nga Franca, Italia e Spanja, deri në Zvicër dhe Kroaci, numri i infeksioneve të reja me koronavirus është rritur dhe po rritet po ashtu edhe frika për një ringritje të pandemisë në një kohë kur qeveritë po përpiqen të menaxhojnë kthimin e nxënësve në shkolla.

Franca regjistroi një rekord prej 5429 rastesh të reja në 24 orë, shifra më e lartë kjo që nga fillimi i testimeve masive. Kryeministri Jean Castex tha se shteti kishte rolin e tij në menaxhimin e situatës por në anën tjetër çdo francez duhet të jetë pjesë e luftës ndaj epidemisë.

Italia ka regjistruar po ashtu një rritje të numrit të rasteve të reja me 1367 infektime të regjistruara të mërkurën dhe 13 viktima. Liderët rajonalë të Spanjës në anën tjetër do të takohen me zyrtarët e shëndetësisë dhe ata të arsimit për të koordinuar kthimin e nxënësve në shkolla në një kohë kur infektimet vazhdojnë të rriten. 3594 raste të reja u raportuan 24 orët e shkuara. Madridi është rajoni më i prekur, por Andaluzia në jug ka regjistruar shifrën e saj më të lartë që nga marsi, me 846 raste të reja.

Turizmi gjatë verës ndërkohë është thelbësor për ekonominë në Kroaci, por ai ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme të infektimeve. Një shifër rekord prej 358 rastesh të reja u raportua në 24 orët e shkuara në vendin me 4.2 milionë banorë. Ndërkohë në Zvicër, numri i rasteve të reja ka arritur në të njëjtin nivel me atë që regjistrohej në prill dhe qyteti më i prekur është Zyrih-u. Maskat mbrojtëse në klubet e qytetit janë të detyrueshme për festat me më shumë se 100 persona nën sloganin, pa maskë, nuk ka festë/TCH.