Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ia ka dorëzuar sot mandatin për formimin e qeverisë së re kreut të LSDM-së, njëherësh udhëheqësit të koalicionit “Mundemi”, Zoran Zaev
“Në bazë të nenit 84, në pajtueshmëri me nenin 90 të Kushtetutës dhe propozimit të koalicionit ‘Mundemi’, për mandatar për formimin e qeverisë e zgjedh Zoran zaevin, kreun e LSDM-së dhe deputetin e Kuvendit”, tha Pendarovski.
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut do të sigurojë qeveri e cila do të vazhdojë rrugën drejt Bashkim Evropian.
“Programi qeveritar do të jetë në pjesë më të madhe i dedikuar në ekonomi, në rritjen e pagave dhe pensioneve, në investime në të rinjtë, në rritje dhe zhvillim, në kujdes për më të varfrit, në mbështetje të biznesit në vend. Do të udhëheq qeveri e cila nuk di për devijim nga rruga dhe e cila pas anëtarësimit në NATO, vazhdon drejtë anëtarësimit në BE”, theksoi Zaev.
Sipas Kushtetutës, kreu i LSDM-së brenda 20 ditëve duhet të sigurojë shumicë parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re.
Koalicioni “Mundemi” fitoi zgjedhjet, duke siguruar 46 mandate.