Botë

Lufta për shpëtimin e qindra të ngujuarve në rrënoja

Ekipet e shpëtimit në Liban janë në kërkim të qindra njerëzve që janë ngujuar pas një shpërthimi të madh në hapësirën e portit të kryeqytetit Bejrut të martën.

Shpërthimi ka shkaktuar vdekjen e së paku 138 njerëzve dhe lëndimin e më shumë se 4.000 të tjerëve. I gjithë qyteti ishte dridhur nga eksplodimi. Tym në formë të kërpudhës është parë duke u shpërndarë mbi hapësirën e portit.

Presidenti Michel Aoun ka thënë se shpërthimi ishte shkaktuar nga 2.750 tonë të nitratit të amoniumit që ishin vendosur në mënyrë të pasigurt në një depo. Nitrati i amoniumit përdoret si pleh bujqësor, por edhe si eksploziv, shkruan BBC, transmeton KOHA. Presidenti Aoun ka shpallur tri ditë zie, që kanë filluar të mërkurën. Në hapjen e mbledhjes emergjente të kabinetit, ai ka thënë: “Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajë tmerrin që ka goditur Bejrutin mbrëmjen e djeshme dhe e ka shndërruar atë në një qytet të goditur nga fatkeqësia”.

“Në mesin e tymit, flakës dhe shkatërrimit që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, dua ta lavdëroj zellin e qytetarëve libanezë që kanë vrapuar drejt vendit të shpërthimit dhe spitaleve për të ofruar mbështetje dhe asistencë”, ka shtuar ai.

Çka ka ndodhur?

Shpërthimi ka ndodhur pas orës 18:00 të martën, pas hapjes së një zjarri në portin e qytetit.

Dëshmitari okular Hadi Nasrallah thotë se e ka parë zjarrin, por nuk ka pritur se do të ndodhte shpërthimi.

“E kam humbur shqisën e dëgjimit për disa sekonda, e dija se diçka nuk është në rregull dhe papritmas xhamat filluan të dridheshin nëpër vetura, dyqane e ndërtesa. Xhamat vazhdimisht binin nga ndërtesa”, ka thënë ai për BBC.

Raportuesja nga kanali i BBC në arabisht, Maryem Taomi, ishte duke e zhvilluar një intervistë në Bejrut në kohën e shpërthimit.

Linja Sinjab nga BBC-ja ka thënë se ajo ishte në gjendje ta ndiente shpërthimin nga shtëpia e saj, që është 5 minuta larg me makinë nga vendi ku ka ndodhur shpërthimi. “Ndërtesa jonë ishte dridhur, ishte gati të rrënohej në tokë, të gjitha dritaret janë hapur përnjëherë”, ka thënë ajo.

Shpërthimi ishte ndier edhe 240 kilometra larg në ishullin e Qipros, në lindje të Mesdheut. Njerëzit mendonin se ishte një tërmet.

Gazetari i BBC-së, Rami Ruhayem, ka thënë se kishte kaos të madh pas shpërthimit. Ambulancat janë parë duke shkuar me shpejtësi drejt vendit ku ka ndodhur ngjarja. Kishte copëza të xhamit në autostradë, që duhej të pastroheshin nga traktorët ka thënë ai.

Mediat lokale kanë transmetuar pamje ku shiheshin njerëz të ngujuar në ndërtesa, vetura të shkatërruara dhe banesa të dëmtuara rëndë. Spitalet ishin të stërmbushura.

Drejtori i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettani, e ka përshkruar situatën si “katastrofë të madhe”, duke shtuar se “viktima dhe dëmtime ka kudo”.

Kryqi i Kuq ka thënë se është duke punuar me ministrin e Shëndetësisë në Liban për vendosjen e morgjeve. Ata kanë thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar deri në gjetjen e më shumë se 100 personave të ngujuar.

Ministri i Shëndetit Publik, Hamad Hassan, ka thënë se sektori i Shëndetësisë në Liban ka mungesë të shtretërve dhe pajisjeve të nevojshme për trajtimin e të lënduarve dhe kujdesin ndaj pacientëve në gjendje kritike.

Ai ka thënë se “një numër i madh i fëmijëve” tashmë janë shpëtuar, por ka shtuar se frikësohet se numri i të vdekurve mund të rritet ende.