Mishtoret industriale të Brazilit ndihmuan në përhapjen e COVID-19 në së paku tri vende të ndryshme në këtë shtet, gjersa virusi po shpërndahet nga qytetet e mëdha në brendësinë e shtetit, kanë thënë prokurorët për Ligjin e punës.
Në fillim të kësaj jave, ky shtet ishte i dyti pas SHBA-së për nga numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus. Janë gati 1.9 milionë të infektuar dhe 72.833 të vdekur.
Sektori i fuqishëm i agro-biznesit është i lidhur ngushtë me presidentin nga e djathta ekstreme, Jair Bolsonaro, i cili e ka quajtur pandeminë si “grip të vogël”.
Sektori i mishit të viçit kap vlerën e 26 miliardë dollarëve, sipas Konfederatës Braziliane të Agrikulturës dhe Blegtorisë, ndërsa industria e mishit të pulës vlen rreth 8 miliardë dollarë, shkruan “The Guardian” të mërkurën.
Mishtoret e mëdha industriale kanë mbetur të hapura edhe gjatë pandemisë, ku punonjësit punojnë afër njëri-tjetrit, shpesh në vende me temperaturë të ulët, ku virusi përhapet më lehtë. Edhe shtetet tjera si SHBA-ja, Kanada, Irlanda dhe Gjermania kanë regjistruar raste me infeksion e që ishin të lidhura drejtpërdrejtë me fabrikat e mishit, transmeton KOHA.
Në Brazil, rajoni Rio Grande do Sul është goditur më se keqi. Që nga 23 qershori, 4.957 punonjës të mishtoreve kanë rezultuar pozitiv për koronavirus në 32 mishtore, që është një e treta e rasteve të përgjithshme në këtë rajon, kanë thënë prokurorët.
Kina, që është partneri më i madh i Brazilit për tregti të mishit, ka pezulluar importet nga mishtoret që janë pronë e dy prodhuesve më të mëdhenj të Brazilit, BRF dhe JBS, në fillim të këtij muaji.
Kompania më e madhe e mishit JBS nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me prokurorët për kompensimin e pagave të punëtorëve dhe pavarësisht rasteve të shumta me infeksione, i ka rihapur fabrikat e mishit, ku prodhimtaria edhe më tutje vazhdon në kushte, të cilat infektologët i quajnë të përkryera për përhapjen e koronavirusit.