Botë

Kathy Sullivan, gruaja që “preku” qiellin dhe zbriti në thellësi të oqeanit

Ajo veç e kishte shënuar emrin e saj në librat e historisë, si gruaja e parë amerikane që shkeli gjithësinë, mirëpo Kathy Sullivan nuk doli të mjaftohej me kaq.

Astronautja e NASA-s mori udhë që historinë e saj ta shkruaj sërish, kësaj radhe në thellësi të oqeanit.

68-vjeçarja Sullivan ka sfiduar veten në udhëtimin thellë në Oqeanin Paqësor, më 7 qershor të vitit 2020, duke u bërë gruaja e parë që preku thellësitë e detit.

Tani ajo thotë se zbritja në fundin e oqeanit ishte përvojë shumë e qetë në krahasim me natyrën shpërthyese të udhëtimit në gjithësi që e kishte bërë më herët.

E këto dy misionet ajo përherë kishte ëndërruar t’i përjetonte. Qysh e re ajo donte ta njihte botën në të cilën jetonte sa më mirë që mund ta bënte.

Kur tani i përshkruan përjetimet, ajo kujtonte sesi qysh e vogël ka qenë kureshtare dhe ka pasur interesime më të veçanta prej bashkëmoshatareve.

E lindur në New Jersey më 1951, Sullivan fëmijërinë e kaloi në Kaliforni. E pasionet e saja thotë se i ka trashëguar nga babai, pasi punonte si inxhinier aviacioni dhe gjithmonë e kishte përkrahur vajzën e tij të mendonte ndryshe dhe pa kufizime.

Për udhëtimin e saj të fundit drejt oqeanit, ajo thotë se mbërritja në thellësi është si përjetimi i qetësisë.

Iu deshën plot katër orë për të zbritur ngadalë në fund të oqeanit, me nëndetësen “Limiting Factor” të teknologjisë së lartë.

E në vitin 1984, Sullivan ishte bërë gruaja e parë amerikane që udhëtoi në gjithësi dhe iu deshën ​​tre orë e gjysmë udhëtim me astronautin e NASA-s, David Leetsma.

Ajo tani shpreson që përvojat e saja të shërbejnë si frymëzim për gratë e tjera.

“Është kënaqësi kur mendoj se kjo përvojë mund të rigjallërojë disa nga aftësitë e mia për të arritur audiencën më të re, të frymëzoj vajza dhe gra të reja që t’i besojnë vetes se gjithçka është e mundur dhe të jenë më të guximshme, t’i frymëzoj meshkujt e rinj dhe të binden se këto gjëra nuk i bëjnë vetëm burrat, ose vetëm gratë, por çdo person kureshtar dhe i guximshëm”, ka thënë ajo.