Botë

Udhëheqësit botërorë përkujtojnë Srebrenicën

Foto: AP

Udhëheqësit botërorë të shtunën kanë nderuar viktimat dhe të mbijetuarit të gjenocidit të Srebrenicës, në 25 vjetorin e kësaj masakre në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, Princi Charles i Britanisë, dhe përfaqësuesit e shteteve ndërkombëtare u paraqitën me anë të video porosive në një ngjarje përkujtimore në memorialin dhe varrezat e qytetit Potoçari në Srebrenicë.

Më shumë se 8,000 persona, kryesisht burra dhe djem, u vranë nga forcat paramilitare në vitin 1995 gjatë luftës në Bosnje.

Clinton, i cili udhëhoqi marrëveshjen paqësore të Daytonit pas masakrës së vitit 1995, e komentoi konfliktin duke thënë: “Konfliktet për shkak të etnisë, racës dhe religjionit vazhdojnë edhe sot të sjellin humbje dhe dhimbje të mëdha për familjet”.

Por ai gjithashtu paralajmëroi se “edhe pas 25 vjetësh, nuk duket se kemi mësuar shumë”, duke shtuar se “demokracia e vërtetë kërkon përkushtim të vërtetë për një shoqëri gjithëpërfshirëse”.

Sekretari i shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, u zotua se “tragjedia kurrë nuk do të harrohet” gjersa Princi Charles i Britanisë tha se përkujtimet duhen shërbyer si “frymëzim dhe inkurajim nga dinjiteti dhe mëshira e atyre që edhe sot vuajnë”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, u shpreh Bashkimi Evropian “nuk do të pushojë deri sa të arrihet drejtësia”.

Përkujtimi të shtunën përfshiu edhe rivarrimin e mbetjeve të nëntë viktimave të identifikuara tash vonë si dhe lutje nga figurat religjioze.

Pjesët e trupave ende po gjenden në varreza masive dhe po bashkohen e identifikohen me anë të analizave të ADN-së. Afro 7,000 të vrarë janë gjetur dhe identifikuar.

Zakonisht me mijëra vizitorë nga shumë shtete marrin pjesë në këtë përkujtim dhe varrim, por këtë vit vetëm një numër i vogël i të mbijetuarve të luftës u lejuan në varreza për shkak të pandemisë së koronavirusit.