Botë

Përleshje tjera të protestuesve serbë me policinë

Përleshje tjera të protestuesve serbë me policinë
Foto: Novosti.rs
00:01

Përleshje tjera të protestuesve serbë me policinë

Protestuesit serbë dhe policia janë përleshur sërish rreth orës 23:30 në qendër të Beogradit, ka njoftuar “danas.rs”. Policia sërish ka hedhur gaz lotsjellës, në tentim për të ndalur protestuesit që të hyjnë në Kuvendin e Serbisë.

Më herët gjatë mbrëmjes, sipas raportimit të mediave beogradase, në një moment protestuesit ia kanë dalë të depërtojnë në objektin e kuvendit.

Pas një qetësie të shkurtër, protestuesit kanë hedhur gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë. Po ashtu kanë marrë disa mburoja të tyre. Policia është përgjigjur duke hedhur sasi më të madhe të gazit lotsjellës.

Në Beograd po protestohet ndaj masave të bëra të ditura të martën, që kanë të bëjnë me luftën ndaj koronavirusit.

23:30

Demonstruesit në Beograd futen në Kuvend

Në Beograd po protestohet nga qytetarë të pakënaqur me masat që të martën i ka prezantuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se prej të mërkurës nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se pesë personave dhe se prej të premtes deri të hënën do të ketë orë policore. Këto masa janë në luftë ndaj përhapjes së koronavirusit.

Sipas raportimit të “b92.net”, protestuesit në një moment ia kanë dalë të futen në Kuvend, por shumë shpejtë janë nxjerrë jashtë.

Po protestojnë anëtarë të disa organizatave dhe grupe opozitare. Disa protestues nuk kanë lejuar të kalojë një automjet i ndihmës së shpejtë, ndonëse automjeti e kishte dritën e rotacionit të ndezur.

Policia nuk ka reaguar ashpër, ka arrestuar vetëm një person për shkak të sjelljes agresive ndaj një policeje.

Protestat kanë filluar për shkak të orës policore të paralajmëruar.

Sipas “Veçernje Novosti” me rastin e hyrjes së protestuesve në Kuvend, ata kanë hedhur fishekzjarrë në holl, ndërsa ka pasur shtyrje me policinë.