Botë

Lëndohen policët gjersa përpiqen të ndalin një festë ilegale në Londër

Shtatë policë u lënduan gjatë përpjekjes që të ndalej një ngjarje ilegale e muzikës në Londrën perëndimore.

Policia shkoi në terren pas raporteve se një numër i madh i njerëzve ishin mbledhur në një ndërtesë, ka shkruar The Guardian.

Gjersa po përpiqeshin të shpërbënin grupin, turma hodhi tulla dhe objekte tjera në drejtim të policisë duke i shtyrë që të largoheshin.

Pas tyre arritën policët e trajnuar për menaxhimin e tollovive dhe trazirave publike për të shpërndarë grupin, por sërish u përballën me dhunë, transmeton KOHA.

Ky intervenim i policisë vjen pasi që pat paralajmëruar se do të ndalon festat ilegale të cilat nuk i respektonin rregullat e distancimit.

Kohëve të fundit policia e Londrës është përballur me trazira gjersa është përpjekur që të ndalë mbledhjet dhe festat e ndryshme nëpër kryeqytet, ku njerëzit po mblidhen për të dëgjuar muzikë pavarësisht ligjit kundër tubimit të shumë personave në një vend.