Një dasmë ka shkaktuar rritjen e numrit të infektimeve me koronavirus në Iran, ka thënë të shtunën presidenti i këtij shteti Hassan Rouhani, që ka insistuar se ky shtet nuk kishte mundësi tjetër pos të mbante ekonominë e hapur, pavarësisht paralajmërimeve për një valë të dytë të infektimeve, raporton Reuters.
Irani, i cili gradualisht ka zbutur masat e kufizimeve që nga mesi i prillit, ka raportuar një rritje të shpejtë të infektimeve ditore ditëve që shkuan. Të enjten ishin 3574 raste të reja. Kjo ishte dita me numrin më të madh të rasteve të reja që nga shkurti, kur virusi u raportua për herë të parë në këtë shtet.
“Kemi parë rritje të infektimeve për shkak të një dasme në një lokacion, gjë e cila shkaktoi probleme për njerëz, punonjësit shëndetësor dhe humbje të madhe për ekonominë dhe sistemin shëndetësor të shtetit”, tha Rouhani në televizionin shtetëror. Ai nuk ceki se ku apo kur ndodhi dasma, transmeton KOHA.
Rastet e reja zbritën në 2,886 të premten, duke e sjellë numrin total të infektimeve në mbi 169 mijë, me përmbi 8,000 persona që kanë vdekur nga kjo sëmundje gjerë më tani.
Irani ka pasur vështirësi në kontrollimin e përhapjes së Covid-19, por autoritetet janë të brengosura se masat për kufizimin e jetës publike dhe ekonomike për të përmbajtur virusin do të shkatërrojnë ekonominë e vendit tashmë të dërrmuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.
“Në rrethana të tilla, nuk kemi tjetër zgjidhje, pra nuk ka mundësi tjetër”, shtoi Rouhani. “Duhet të punojmë, fabrikat tona duhet të jenë aktive, shitoret të hapen, dhe të ketë lëvizje nëpër shtet aq sa është e nevojshme”.
Universitetet e Iranit u rihapën të shtunën pasi që ishin të mbyllura për më shumë se tre muaj e gjysmë.